Transformator i ri në Fushë Kuqe, garantohet furnizim cilësor me energji

TIRANË, 21 janar /ATSH/- Instalimi i transformatorit të ri në Fushë Kuqe të Krujës, garanton furnizim cilësor me energji për banorët dhe pompat e ujit në të gjithë zonën rurale.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi se po vijon me investimet për rritjen e sigurisë së furnizimit me energji në zonat rurale të vendit, ndërsa ka në monitorim të vazhdueshëm të gjithë vendin, për të siguruar furnizim normalisht, pa ndërprerje me energji elektrike të abonentëve, veçanërisht gjatë këtij sezoni dimëror kur edhe konsumi i energjisë është më i madh.

Sipas OSHEE-së, këto ditë grupet e specialistëve po punojnë në nënstacionin energjetik të  Fushë Kuqes, duke instaluar një transformator të ri 31.5 MVA, i cili garanton furnizim cilësor për banorët dhe pompat e ujit në këtë zonë.

Në këto vitet e fundit, OSHEE ka investuar 14.5 miliardë lekë në sistemin energjetik në zonat rurale të vendit. Investimet kanë konsistuar në nënstacione të reja, linja e kabina të tensionit të mesëm, si dhe në vendosjen e matësve dixhitalë në zonën e ndërhyrjes në fshat.

Programi i qeverisë në këtë drejtim synon të vijojë më tej në normalizimin e situatës së furnizimit me energji në të gjitha zonat rurale të vendit.

e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.