Thellim bashkëpunimi mbi sigurinë portuale, delegacioni i KFOR-it vizitë në portin e Durrësit

TIRANË, 21 janar/ATSH/  Përfaqësues të KFOR-it zhvilluan sot takim me Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu.

Pjesë e delegacionit ishte dhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani dhe Atasheu ushtarak pranë kësaj Ambasade, Bashkim Shillova.

Vengu pas fjalës mikpritëse, nënvizoi gatishmërinë e e Autoritetit që ai drejton për vijimësinë e bashkëpunimit me strukturat e KFOR-it, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm mbi menaxhimin e integruar të kufirit dhe koordinimin më efikas të agjencive ligjzbatuese në hapësirat portuale.

Gjatë takimit grupi prej 11 ushtarakësh, i cili drejtohej nga kolonel Markus Hofler, u informua mbi kapacitetet dhe mënyrën e funksionimit të portit më të madh të vendit.

Specialistët portualë kanë bërë të njohur kushtet e sigurisë dhe projektet e afërta që do të zbatohen në hapësirën portuale.

Në takim mori pjesë edhe komandant i Grupit të dytë Patrullues në Forcën tonë Detare, Edison Hoxha. Pas bisedës informuese ushtarakët e KFOR-it zhvilluan një vizitë në Terminalin e Mallrave Gjenerale të portit./k.s/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.