RUSI – Kremlini: Takimi Putin-Johnson, i shkurtër, por konstruktiv

MOSKË, 21 janar /ATSH-AA/ – Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se takimi mes presidentit të Rusisë Vladimir Putin, dhe kryeministrit britanik Boris Johnson në kuadër të Konferencës së Berlinit për Libinë ishte “i shkurtër, por konstruktiv”.

Peskov tha se karakteri i takimit ishte i ndryshëm nga jo ai që njoftoi zyra e kryeministrit britanik pas takimit.

“Në përgjithësi, kontakti ishte i shkurtër, por në të njëjtën kohë, le të themi, mjaft konstruktiv, me elementë të një qëndrimi pajtues. Me sa duket, fryma e kontaktit është qartë e ndryshme nga thelbi i mesazhit të Downing Street”, tha ai.

Duke komentuar takimin Putin-Johnson në Berlin, Downing Street kishte thënë se kryeministri britanik “ishte i qartë se nuk kishte pasur ndonjë ndryshim në qëndrimin e Britanisë së Madhe për Salisbury-n”, që ai e karakterizoi si “një përdorim të pamatur të armëve kimike dhe një përpjekje të pacipë për të vrarë njerëz të pafajshëm në tokën e Britanisë së Madhe” dhe paralajmëruan të mos përsëritet një sulm i tillë.

“Kryeministri tha se ata të dy kishin një përgjegjësi për të adresuar çështjet e sigurisë ndërkombëtare, përfshirë Libinë, Sirinë, Irakun dhe Iranin. Kryeministri tha se nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve tona dypalëshe derisa Rusia të përfundojë aktivitetin destabilizues që kërcënon Britaninë e Madhe dhe aleatët tanë dhe dobëson sigurinë e qytetarëve tanë dhe sigurinë tonë kolektive”, thuhet në deklaratë.

Në mars të vitit 2018, ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij u helmuan në qytetin jugor të Salisbury në Mbretërinë e Bashkuar me një agjent nervor./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.