Nis ndërhyrja në rrugën e fshatit Gabrric, Gjici: Do rehabilitojmë të gjitha rrugët e njësive administrative

 

LIVE: Punimet në rrugën e fshatit Gabrricë!

Gepostet von Safet Gjici – Faqja Zyrtare am Dienstag, 21. Januar 2020

TIRANË, 21 janar /ATSH – I. Vata/- Kryetari i bashkisë Kukës Safet Gjici ka inspektuar sot punimet për rehabilitimin e rrugës në fshatin Gabrric të lënë në harresë për vitesh.

Në takim me banorët e zonës, Gjici tha banorëve se bashkia do vazhdojë të investojë në çdo rrugë të çdo njësie administrative dhe do bashkëpunojë me qytetarë përtej bindjeve politike, i majtë apo i djathtë.

“Ne vijmë këtu që të bëjmë rrugën dhe të bashkëpunojmë që të bëjmë gjëra të mira për komunitetin. Me ndihmë që po marrim me financimet e donatorëve po përpiqemi të bëjmë gjithë rrugët në bashkinë Kukës”, tha ai.

Gjici shtoi se rruga do të sistemohet në të gjithë gjatësinë e saj, deri në qendër të fshatit Gabrric.

“Rruga do të zgjerohet dhe do shtrohet me çakull si dhe do të bëhen dhe kanalet kulluese të ujërave të bardha që të mos dëmtohet nga reshjet. Rruga do jetë më standarde të pranueshme që të qarkullojnë jo vetëm makinat e tonazhit të rëndë por dhe makinat e vogla”, tha ai.

Në një prononcim për mediet, Gjici tha se “ka 15 vite që për këtë rrugë nuk është kujdesur bashkia dhe prandaj është në këtë gjendje, por me ndërhyrjen tonë rruga do jetë funksionale në të gjithë gjatësinë deri në qendër të fshatit dhe në një të ardhme të shpejtë do hartojmë projektin për ta shtruar rrugën me asfalt”.

“Ne do të vazhdojmë të rehabilitojmë të gjitha rrugët e njësive administrative të bashkisë Kukës, që deri më sot janë lënë në harresë”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.