KËLN – 10 000 të evakuar për shkak të çaktivizimit të një bombe të LIIB

FRANKFURT, 21 janar /ATSH-AFP/ – Qarkullimi i trenave u bllokua dhe të paktën 10 000 persona u evakuan në Këln pas zbulimit, në qendër të qytetit, të një bombe që daton që prej Luftës së Dytë Botërore dhe që do të çaktivizohet në mesditë.

“Lënda plasëse prej 500 kilogramësh, me origjinë amerikane, u zbulua dje në mbrëmje në një kantier pranë lumit Rin, në afërsi të stacionit qendror”, njoftoi bashkia në një komunikatë.

Çmontimi do të fillojë në mesditë dhe është i nevojshëm evakuimi i ndërtesave që ndodhen në afërsi, si opera, disa zyra si dhe studiot e stacionit televiziv privat RTL.

Bomba u zbulua pranë urës hekurudhore shumë të frekuentuar të Hohenzollernit, që të çon në Katedrale dhe në stacionin qendror.

“Asnjë tren nuk mund të kalojë urën në kohën e çaktivizimit”, theksoi kompania hekurudhore “Deutsche Bahn”, ndërkohë që stacioni i Messe/Deutz ishte mbyllur që prej mëngjesit.

Në shtator, një bombë prej 250 kilogramësh u çaktivizua në Hanovër duke çuar në evakuimin e 15 000 personave./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.