Gjata: Emërimi në ILD i Artur Metanit, antikushtetues dhe i paligjshëm

TIRANË, 21 janar /ATSH – I. Vata/- Sekretari për Çështjet Ligjore të PD-së, Çlirim Gjata e ka konsideruar emërimin e Artur Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë të Artur Metanit si antikushtetues dhe të paligjshëm.

“Dje, parlamenti ilegjitim, i dalë nga vota e vjedhur dhe e blerë me paratë e krimit dhe të korrupsionit, realizoi goditjen finale kundër reformës në drejtësi dhe pavarësisë së organeve të reja të drejtësisë”, u shpreh Gjata në një deklaratë për mediet.

“Ky emërim, siç e kemi konstatuar e denoncuar edhe më parë, vjen në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës. Kjo shkelje e rëndë ka filluar që nga kualifikimi i paligjshëm i kandidaturës së Metanit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, të kontrolluar nga shërbëtori Ardian Dvorani, duke u sanksionuar nga Parlamenti me një votim partiak. Ky emërim nga Parlamenti është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 147/d, parashikon se “Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”, theksoi Gjata.

“Si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, edhe Parlamenti kanë shkelur me vetëdije ligjet dhe Kushtetutën, duke qenë në dijeni të plotë të faktit ndalues se Artur Metani në 10 vitet e fundit ka qenë “funksionar politik”, si pjesë e Kabinetit të Presidentit të Republikës. Kjo është shkelja më e rëndë nga Parlamenti në emërimin e Artur Metanit”, sqaron ai.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.