Divjakë/ Pagesë qiraje për familjet e dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 21 janar/ATSH/ Bashkia e Divjakës miratoi sot disa vendime të rëndësishme që u vijnë në ndihmë familjeve në nevojë.

Këshilli Bashkiak miratoi pagesën e plotë të qirasë, për një periudhë 1-vjeçare sipas vlerës së tregut të lirë për të gjitha familjet banesat e të cilave janë dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019.

Bëhet fjalë për 8 familje, banesat e të cilëve rezultojnë të dëmtuara sipas akt-konstatimeve të mbajtura nga grupet e inspektimit të ngritura pranë Bashkisë Divjakë. Pagesa e kësaj qiraje do të përballohet nga fondi i emergjencave i parashikuar në buxhetin e vitit 2020.

Po ashtu, këshilli bashkiak miratoi shumën prej 400 mijë lekësh për rimbursimin e invalidëve që do të udhëtojnë në linjat urbane, për një periudhë 1-vjeçare.

Kjo shumë do të përballohet nga fondi rezervë i Bashkisë Divjakë dhe do të zbatohet për linjat e urbanit: Rreth-rrotullimi i Çermës – Divjakë dhe Pushimi i Shoferit – Divjakë.

Në total nga ky vendim përfitojnë 100 invalidë që do të lëvizin në këto dy linja të transportit urban.

Në mbledhjen e sotme u miratuan po ashtu edhe kriteret për familjet në nevojë që do të trajtohen me ndihmë ekonomike./m.m/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.