Braçe: 6 vite në pushtet jam torturuar kokëulur çdo 21 janar, asnjë prokuror nuk hetoi Berishën

TIRANË, 21 janar/ATSH/- Zëvendëskryeministri Erion Braçe duke përkujtuar 21 janarin e 2011, theksoi se “sistemi kriminal gjyqësor i emëruar e nën sundimin e Sali Berishës edhe sot bëri që pushkatimet e Ziver Veizit, Hekuran Dedes, Faik Myrtajt, t’i cilësojë “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa pushkatimin e Aleks Nikës, ta shpallë edhe pas 9 vitesh “vrasje pa autor”.

Në një reagim, Braçe shprehet se “Sali Berisha i ka dalë për zot pushkatimeve me zë e me figurë, fill pas dëshmisë televizive të pushkatimeve në mes të ditës e në mes të bulevardit, ai tha troç se i kishte urdhëruar vetë. Asnjë prokuror nuk e hetoi në cilësinë e kryeministrit që ka urdhëruar pushkatimet; Katër prokurorë të përgjithshëm janë ndërruar ne 9 vite, Sali Berisha vijon të marrë përsipër pushkatimet dhe asnjë nuk guxoi dhe nuk guxon as tani, ta vërë nën hetim për krimin e rëndë”.

Braçe shprehet se “as atë tjetrin, ish ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, i cili kishte nën komande pushkatarët e Gardës së qeverisë. Këta që emëronin prokurorët e gjykatësit e kishin në xhep imunitetin, por kriminalisht i dhanë imunitet, shpëtuan, nxorën nga burgu dhe sot janë të lirë, dy pushkatarët plumbat e të cilëve, qitur nga armët e qeverisë, u gjetën në trupat e pa jetë të Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt. Edhe Aleks Nika nga ata është pushkatuar. Padrejtësi më të madhe se kjo, në këtë vend nuk ka! Kjo padrejtësi rrënon, themelet e shtetit, bën të pavlerë çdo akt rutinë drejtësie. Në 9 vite e gjysmë, kjo padrejtësi është tortura më e rëndë për familjarët e tyre. Në 6 vite e gjysmë në pushtet, torturë është edhe për mua”.

“Çdo 21 janar, me turp e kokë ulur shkruaj radhë si këto, një akt pafuqie që nuk shtyn për drejtësi, nuk bën drejtësi. Reforma në Drejtësi, ka nxjerrë jashtë nga sistemi 8 gjyqtarë të vegjël e të lartë, të cilët dhanë vendimet kriminale e shfajësuan pushkatarët e 21 janarit. Por kjo nuk është drejtësi! Drejtësi është hetimi i plotë, gjithëpërfshirës i gjithë zinxhirit të krimit, nga urdhri e urdhërdhënësi deri tek pushkatarët e pushkatimi”, – nënvizon Braçe.

Zv/kryeministri Braçe u shpreh se “gjykimi i drejtë dhe i shpejtë gjithashtu. E di, e kam dëgjuar edhe unë atë kërcënimin e përjetshëm që na përplasin në fytyrë se nëse hetohet e gjykohet urdhri e pushkatimi, urdhërdhënësi e pushkatarët, këtij vendi do i vënë zjarrin”.
“Por kjo është edhe një herë më shumë padrejtësi! Ekuilibri politik dhe stabiliteti social, ekonomik, politik, i vendosur prej dhunës së padrejtësisë është zjarr edhe më i madh se ai i katër muajve të vitit që shkoi, është zjarr mbi liritë kushtetuese, atë bazë-të drejtën për të jetuar, mbi ligj e çdo rregull është zjarr mbi drejtësinë e barazinë, mbi shtetin e bashkëjetesën në të. Dhjetë ditë më parë, presidenti i SHBA i bëri veç një thirrje regjimit të pushkatarëve të Gardës së qeverisë në Teheran/Iran: Mos i vrisni protestuesit! Në Tiranë protestuesit u vranë njësoj, me pushkë, të njëjtat si atje. Në Teheran, drejtësinë e bëjnë po ata, me pushkë, këtu jo më, asnjëherë më; është e padurueshme, ta shpif bashkëjetesa me dhunën sfiduese të një krimi të zbardhur e të pandëshkuar, si pafuqi, si stabilitet apo standard drejtësie, por që nuk arrin tek pushkatarët e udhëheqësit e tyre. Jo sepse unë e dua kundërshtarin në burg, siç Sali Berisha donte dhe e çoi në burg, mbajti kyçur atje politikisht kundërshtarin e tij; Jo! por si akt i pastër, moral, ligjor drejtësie”, – theksoi Braçe duke shtuar se atë që nuk duhet e nuk e bën partia, por ligjërisht drejtësia.

“Provat janë aty, në dritë të diellit! Duhet veç kurajo! Katër burra, një jetë, pushkatimi dhe padrejtësia që rrënon themelet e shtetit. Në 21 janar 2011, katër qytetarë të zakonshëm, pjesëmarrës në një demonstratë të opozitës së kohës, të pa armatosur e paqësore u pushkatuan në mes të bulevardit Dëshmorët e Kombit. Mbi 12 të tjerë u plagosën me të njëjtat armë zjarri, për fat edhe sot në jetë”, – tha Braçe./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.