100 vjet parlamentarizëm në Shqipëri/ Kuvendi shënon përvjetorin e Kongresit të Lushnjës me aktivitete të shumta

TIRANË, 21 janar /ATSH/ – Sot shënohen 100 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920.

Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar.

Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar sot një sërë aktivitetesh në Lushnjë dhe Tiranë.

Kështu kalendari i aktiviteteve për 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar parashikon mbajtjen e ceremonisë në Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë në orën 9:30, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ndërkohë në Tiranë në orën 11:30-12:00 do të bëhet çelja  e  Ekspozitës dhe shfaqja e Dokumentarit “100 vjet parlamentarizëm shqiptar” ne Pallatin e Kongreseve, holli para sallës së Albanologjisë.

Ndërsa në 21 janar, ora 12:00-13:30 do të mbahet Konferenca shkencore “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”, në Pallatin e Kongreseve, salla e Albanologjisë.

Aktivitetet vijojnë edhe në datën 22 janar, ora 10:00-20:00 me Ditët e Hapura te salla e seancave.

Ndërsa në datë 23 janar, ora 11:00 do të jetë faza finale e konkursit të shkollave të mesme të Tiranës dhe Lushnjës për interpretimin e fjalimeve të përzgjedhura parlamentare.

Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

Kongresi shprehu në formë të organizuar politike vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta. Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme. Akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjës që përbënte një ligj kushtetues. Veprimtaria legjislative e Këshillit Kombëtar mori fund në dhjetor të vitit 1920, kur Këshilli u shpërnda për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të para në Shqipëri (mars 1921).

/gj.mima/

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.