100 vjet nga Kongresi i Lushnjës/ Hysi: Ditë reflektimi, Milo: Riformatoi shtetin shqiptar

TIRANË, 21 janar /ATSH-Gjergji Mima/ -Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi e ka cilësuar si një ditë reflektimi 21 janarin ku sot shënohet 100-vjetori i Kongresit të Lushnjës, që është edhe 100-vjetori i parlamentarizmit në Shqipëri.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Hysi tha se, “kjo është një datë kur shqiptarët të gjithë duhet të ndjehemi krenarë për të gjithë ato vendime që ka marrë Kongresi i Lushnjës për fuqizimin e shtetit, Pavarësisë dhe mbrojtjen e territoreve”.

Nga ana tjetër,  sipas Hysit, është një ditë reflektimi. “Unë jam vetë pjesë e politikës dhe besoj që të gjithë ne që jemi pjesë e politikës, jemi besuar për të qenë pjesë e parlamentit. Është një ditë për të reflektuar për atë çfarë është bërë mirë, por edhe për të nxjerrë mësim, për ato që nuk kanë funksionuar ashtu siç duhet”, tha Hysi.

Hysi tha se shumë aktivitete në Lushnjë dhe Tiranë janë bërë falë bashkëpunimit me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Arkivën Qendrore Shtetërore, gjithashtu me pedagogë e me Akademinë e Shkencave.

Hysi tha se “në Konferencën Shkencore kushtuar 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar ka shumë profesorë, e pedagogë, historianë dhe akademikë, të cilët na kanë nderuar. Njëkohësisht kemi dhe miq historianë dhe albanologë që kanë ardhur nga jashtë vendit”.

Ndërsa historiani dhe politikani Paskal Milo u shpreh në një prononcim për ATSH-në se, “kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme historike, madje pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 1912, kjo është ngjarja më madhore dhe më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Është e tillë për shkak se në rrethanat ndërkombëtare që u krijuan në përfundim të Luftës së Parë Botërore dhe pas Konferencës së Paqes së Parisit që e shoqëroi atë Shqipëria u rrezikua të copëtohej nga projektet që u shfaqën në këtë Konferencë në favor të vendeve fqinje. Dhe ka qenë pikërisht Kongresi i Lushnjës, i thirrur me urgjencë nga nevoja kombëtare që ishte faktori kryesor i brendshëm që e ndali copëtimin e Shqipërisë dhe që riformatoi shtetin shqiptar në kushte të reja. Rikrijoi institucionet shqiptare, shtetërore dhe qeverisëse të Shqipërisë”.

Pra, theksoi Milo, “i dha jetë pavarësisë së Shqipërisë në rrethana të reja dhe hapi rrugën e demokratizimit të Shqipërisë dhe krijimit të institucioneve të tilla demokratike dhe përfaqësuese siç ka qenë parlamenti shqiptar, 100-vjetorin e të cilit ne e festojmë sot”.

Prandaj, u shpreh ai, “ka një rëndësi të jashtëzakonshme, për këto arsye që unë numërova, por që patjetër nisi një rrugë e gjatë e parlamentarizmit, një rrugë e cila e ka sjellë Shqipërinë sot në një kohë kur institucionet e shtetit shqiptar funksionojnë midis tyre edhe parlamentit”.

“Por e mira nuk ka fund, për shkak se edhe proceset janë në vijimësi dhe le të shpresojmë që parlamentarizmi shqiptar në 100-vjetorin e tij do të ketë momente të reja reflektimi që do ta bëjnë këtë institucion, gjithnjë e më përfaqësues. Një përfaqësim që duhet të jetë i drejtpërdrejtë, të shprehë vullnetin real të shqiptarëve, por në të njëjtën kohë të ketë dhe kapacitetin, aftësinë që të miratojë projektligje në shërbim të vendit, prosperitetit, por edhe të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Milo.

Sot shënohen 100 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920. Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.