ZAGREB – Plenkoviç: Vëmendje e veçantë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe MV

ZAGREB, 20 janar /ATSH-HINA/ – Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç deklaroi sot se Kroacia do t’i kushtojë vëmendje të veçantë në samitin e Zagrebit, të planifikuar për në fillim të majit, për të zhbllokuar fillimin e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri kroat mori pjesë në një takim të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çëshgtjet e Unionit të Parlamenteve të Bashkimit Europian (COSAC) në Zagreb.

Plenkoviç prezantoi përparësitë e presidencës së Kroacisë së BE dhe përsëriti se detyrat më të rëndësishme me të cilat përballet Bashkimi në muajt në vazhdim përfshijnë buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të MFF, zgjerimin, Konferencën për Ardhmërinë e Europës dhe një marrëveshje për marrëdhëniet e ardhshme me Britaninë e Madhe.

Ai njoftoi se samiti i Zagrebit në maj, që do t’i kushtohet zgjerimit, do të përqendrohet veçanërisht në zhbllokimin e situatës në të cilën Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e gjetën veten në Këshillin Europian në tetor.

”Hapja e Evropës siç ishte në vitet 1990 nuk do të përsëritet kurrë, tani kemi një proces të përpunuar me kujdes të zgjerimit”, tha Plenkoviç.

”Për Kroacinë, BE është një projekt i paparë i paqes dhe një komunitet që fiton forcën e tij nga vlerat e përbashkëta dhe solidariteti”, theksoi ai./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.