Subashi për ATSH-në: Treg me standarde dhe shërbim thertoreje për fermerët e rajonit të jugut

TIRANË, 20 janar/ATSH-Maela Marini/ Së shpejti Fieri do të ketë një treg të ri me standarde për tregtimin e gjësë së gjallë, i cili do t’i shërbejë të gjithë fermerëve të rajonit të jugut.

Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi deklaroi sot se “në Mbrostar po ndërtohet tregu më i madh i gjësë së gjallë në rajonin e jugut”.

“Puna po ecën me ritme të shpejta dhe brenda këtij viti do të kemi një hapësirë të re rajonale për të gjithë fermerët e rajonit të jugut të cilët do të tregtojnë gjënë e gjallë, por dhe mishin”, tha ai.

Ndërtimi i tregut rajonal, sipas Subashit, “nuk synon vetëm shitblerjen e gjësë së gjallë”. “Ai do të ofrojë edhe shërbimit thertore, për ta bërë edhe më të plotë e të kontrolluar çdo gjë që shkon në dorë të konsumatorit”, tha Subashi.

Subashi deklaroi se “ky investim do të ndikojë fuqishëm edhe në zhvillimin e zonës përreth, duke shërbyer gjithashtu si një nyje lidhëse tregtare midis fermerëve dhe tregtarëve të Fierit, Beratit, Lushnjes”.

“Vendi në të cilin do të ndërtohet tregu dhe kushtet e tij do ta klasifikojnë atë një treg rajonal, duke ndikuar edhe në rritjen e ekonomisë së vendit”, tha ai.

Projekt-studimi i fizibilitetit është përgatitur nga USAID (CoPlan), kurse ndërtimi i tregut është një bashkëfinancim i TAP dhe bashkisë Fier në vlerën prej rreth 320 mijë euro.

Ndërtimi i tregut dhe thertores, sipas Subashit, do të bëjë të mundur përqendrimin e tregjeve dhe thertoreve sporadike në një të vetme, duke siguruar kontrollin dhe monitorimin e plotë nga ana e strukturave përkatëse.

“Gjithashtu do të mundësohet respektimi i normave higjenike, për faktin e vetëm se aplikimi i këtyre masave kërkon struktura që i përmbushin plotësisht funksionet e tyre. Ndërtimi i tregut të gjësë së gjallë dhe thertores në Njësinë Administrative Mbrostar do të bëjë të mundur lidhjen me rrugët automobilistike dhe transportin hekurudhor”, shtoi ai.

Po ashtu, Subashi tha se “projekti parashikon që të sigurohet largësia maksimale nga transporti publik si edhe një largësi maksimale nga aktivitete që shoqërohen me ndotje si erë, pluhur, tym, hi, etj”.

Subashi tha se “do të bëhet i mundur respektimi i largësisë nga shtëpitë e banimit dhe të gjitha aktivitetet e tjera për të penguar hyrjen e zhurmave dhe erërave të këqija të thertores”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.