Nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd/ Thaçi: Një hap tjetër për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

TIRANË, 20 janar/ATSH/- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi sot nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë–Beograd, si një hap tjetër për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një reagim Presidenti Thaçi tha se kjo marrëveshje pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen.

“E mirëpres nënshkrimin e Letrës së Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë–Beograd. Sigurisht që kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Thaçi.

Presidenti Thaçi në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shprehu mirënjohjen e thellë për Ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje.

Sipas tij, kjo marrëveshje pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.