Ndërgjegjësimi i biznesit për deklarimin/ Efekte pozitive në rritjen e pagave për 34% të punonjësve

 

TIRANË, 20 janar/ATSH/- Prej muajit tetor 2019, Administrata Tatimore ka sensibilizuar 12 mijë tatimpagues, të vlerësuar në risk nëndeklarimi të pagave. Ndërsa efekti ka qenë i dukshëm në rritje ku 34% ose për 5536 punonjës është rritur deklarimi i pagave me një vlerë totale prej më shumë se 44 mln lekë vetëm për muajin tetor.

Në një vizitë pranë një subjekti, i cili ka reaguar pozitivisht, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, sqaroi nga afër qasjen e Administratës Tatimore për të mos penalizuar, por ndërgjegjësuar subjektet mbi rëndësinë e deklarimit real të pagave.

Drejtoresha Ibrahimaj tha se “në muajin tetor filluam një analizë ku analizuam 20 grupe profesionesh, të cilët ishin të nëndeklaruara. Kemi pasur një shtesë në të ardhura në muajin nëntor prej 44 milionë lekë, nga 14 mijë biznese që janë tatuar 30% e tyre kanë reaguar pozitivisht duke rritur pagat e punonjësve me mbi 50%. Ndërkohë që për ato subjekte që nuk kanë deklaruar do të bëjmë kontrolle dhe pjesët e tyre, të cilat janë më rrisk më lartë lartë do të shkojnë për hetim””, – theksoi Ibrahimaj.

“Në kuadër të strategjisë së administratës tatimore jemi përqendruar jo vetëm tek kontrolli, tek gjobitja, parandalimi, dhe hetimi tatimor, por është e përqendruar edhe tek shërbimet e tatimpaguesve dhe kryesisht tek rritja e eficencës dhe rritja e vetëdeklarimit të biznesit. Pra qëllimi kryesor i administratës është që të nxisë biznesin që të vetëdeklarohet”, – tha ajo.

Ibrahimaj uroi që sa më shumë biznese të reagojnë në këtë formë sepse qëllimi ynë nuk është ndëshkues, por vetëpërmbushës, dhe nxitës për të mirën e punonjësve dhe të ekonomisë.

Përfaqësuesja e biznesit tha se “ne ju falënderojmë sepse ne kemi pasur deri tani qasje pozitive qoftë nga ana e tatimeve, qoftë me kërkimin e bilanceve që na duhen për tenderat, fleksibiliteti për marrjen e vërtetimeve, këto gjëra janë shumë pozitive”.

“Në lidhje me shërbimet online ajo tha se jam shumë e kënaqur, më ka hequr 70% të kohës, që mund të harxhoja në sportel. Vetëm për një bilanc kam ngelë një orë e gjysmë për ta marrë në dhjetor. Ndërkohë që 20 dokumente i mora për 5 minuta. Kjo ishte një mënyrë shumë e mirë për zgjidhjen e gjërave”,- tha përfaqësuesja e biznesit.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Ibrahimaj u shpreh se “në fakt 90% të shërbimeve i kemi online dhe do vazhdojmë me shtimin e 3 shërbimeve të tjera nga qershori e tutje”.

Nisma e AT për rritjen e deklarimit të pagave do vazhdojë edhe me hapa të tjerë sensibilizues dhe në raste të riskut të lartë do të ndiqet përmes strukturave të Hetimit Tatimor./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.