DAVOS – ”Oxfam”: Miliarderët e botës më shumë para se 60% e njerëzimit

DAVOS, 20 janar /ATSH-AFP/ – Rreth 2 153 miliarderë të globit kanë tashmë më shumë para se 60% e popullsisë botërore, denoncoi sot OJQ-ja “Oxfam” duke nënvizuar një përqendrim të pasurisë në dëm të grave në mënyrë të veçantë, në linjën e parë të pabarazive.

“Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve nuk mund të zgjidhet pa politika për luftën kundër pabarazive. Qeveritë duhet të sigurohen që kompanitë dhe të pasurit të paguajnë pjesën e tyre të taksave”, konfirmoi Amitabh Behar, zyrtar i ”Oxfam” në Indi dhe që do të përfaqësojë OJQ-në këtë vit në Forumin e Davosit, cituar në një komunikatë.

Raporti i përvitshëm i “Oxfam” mbi pabarazitë botërore është publikuar si zakonisht pak para hapjes të Forumit të 50-të Ekonomik Botëror (WEF) në Davos, në Zvicër, takim tradicional i elitës ekonomike dhe politike të globit dhe pas një viti 2019 të shënuar nga lëvizje të mëdha protestash sociale nga Kili në Lindjen e Mesme dhe duke kaluar në Francë.

“Pabarazitë e pashmangshme janë në qendër të frakturave dhe konflikteve sociale kudo në botë (…) Ato nuk janë një fatalitet, por rezultat i politikave (…) që zvogëlojnë pjesëmarrjen e më të pasurve në përpjekje solidariteti përmes taksave dhe dobësojnë financimin e shërbimeve publike “, nënvizoi Pauline Leclere, zëdhënëse e ”Oxfam” France./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.