Artur Metani zgjidhet Inspektor i Lartë i Drejtësisë

TIRANË, 20 janar /ATSH/ -Artur Metani është zgjedhur Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Kuvendi ka zgjedhur në seancën e sotme me 98 vota pro dhe 8 kundër, Artur Metanin në postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Metani ishte renditur i pari edhe në listën me pesë kandidatë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i kishte dërguar Kuvendit.

Pas votimit, Metani është betuar në foltoren e Kuvendit, përpara deputetëve.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.

/gj.mima/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.