10-vjetori i ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit, Meta: Panajot Pano, mbret i futbollit shqiptar

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/462448087967653/

TIRANË, 20 janar /ATSH – I. Vata- Presidenti Ilir Meta kujton 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të futbollistit Panajot Pano duke e konsideruar atë mbretin e futbollit

“Edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga ndarja me mbretin e futbollit shqiptar, Panajot Pano, ai do të mbetet gjithmonë një shembull frymëzimi për të gjithë brezat e sportistëve tanë!”, shprehet ai.

Panajot Pano konsiderohet legjendë në futbollin shqiptar.

Pano e filloi karrierën e tij sportive 12 vjeç në skuadrën e të rinjve të SK Tirana si portier. Më vonë në vitin 1959 mbasi emërohet në ushtri luan për skuadrën e KF Partizani si sulmues.

Me këtë lojtar në gjirin e tij KF Partizani fiton katër herë kampionatin kombëtar dhe pesë herë kupën e Republikës. Panajot Pano luajti 25 herë për skuadrën kombëtare. Në vitin 1970 skuadra kombëtare fiton kupën e Ballkanit. Mbas vitit 1975 ai stërviti si trajner ekipin kombëtar dhe atë të të rinjve të KF Partizani. Në vitin 2003 me rastin e jubileut të UEFA-s u zgjodh si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave nga Federata Shqiptare e Futbollit

Më 27 prill 2005 merr titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu.

Ai vdiq me 19 janar të vitit 2010 në Jacksonville, Florida, SHBA nga një atak kardiak. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.