Nga 13.9% në 2013, në 2.1% në 2019/Tenderat me negocim pa shpallje, në nivelin më të ulët historik në 10 vitet e fundit

TIRANË, 19 janar/ATSH/-Numri i procedurave me negocim pa shpallje të zhvilluara në vitin 2019 ashtu sikurse kursimi si rezultat i garave efektive, shënuan nivelin më të ulët historik në 10 vitet e fundit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik, numri i procedurave me negocim pa shpallje ishte vetëm 192 nga 7 384 procedura të kryera gjithsej në 2019, ose e thënë ndryshe vetëm 2.5% e totalit.

Edhe në vlerë, procedurat me negocim pa shpallje për 2019-ën zunë 2.1% të vlerës totale të prokuruar ose 2.3 miliardë lekë nga 110.6 miliardë lekë të prokuruara në total.

Kjo shifër shënoi nivelin më të ulët historik në 10 vitet e fundit, pasi në vlerë procedurat me negocim pa shpallje në vitin 2013 zinin 13.9% të totalit të procedurave të zhvilluara, në 2012-n ishin 9.3%, në 2011-n ishin 8.9% dhe 7.2% në 2010-n.

Shifrat erdhën duke u përmirësuar njëkohësisht me procedurat pas 2015-s. Sipas tabelave të paraqitura nga APP, në 2015-n, në vlerë procedurat me negocim pa shpallje zinin 8.8% të totalit, 7% në 2016-n, 6.5% në 2017-n, 3.8% ne 2018-ën.

Kursimi nga tenderët publike, referuar të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, për vitin 2019, llogaritet 7.8 miliardë lekë.

Sipas statistikave të publikuara nga APP, nga vlera e prokuruar, përfshirë edhe “tenderat pa garë”, prej 90.2 miliardë lekë, janë kursyer 7.8 miliardë lekë ose 8.7% e fondit të tenderuar.

Agjencia e Prokurimit Publik bën të ditur se kursimi erdhi si rezultat i garës efektive. Në 2018-n, kursimi llogaritet 6.2% e fondit prej 102 miliardë lekëve të prokuruar.

Për të rritur më tej rezultatet, qeveria ka nxjerrë për konsultim publik edhe draft ligjin për prokurimin publik, një ndër instrumentet kryesorë strategjikë që ndihmon qeverinë të arrijë objektivat ekonomike, sociale dhe të mjedisit nëpërmjet një sistemi të përgjegjshëm, efektiv dhe transparent të mirë përdorimit të fondeve publike dhe shpenzimeve të qeverisë.

Tjetër qëllim i këtij draft ligji është të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Shqipëri, duke marrë në konsideratë gjetjet dhe rekomandimet e ndryshme të organizmave ndërkombëtarë, si: Komisioni Europian, Banka Botërore, OECD/SIGMA, etj, duke lehtësuar procesin e prokurimit, si për autoritetet kontraktore, ashtu edhe për operatorët ekonomikë. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.