Revolucioni dixhital/ Transformim rrënjësor i shërbimit për patentat, për dekada ishte histori korrupsioni


TIRANË, 18 janar/ATSH/ “Për dekada me radhë ‘historia e patentave’ ishte një histori rrumpallë e korrupsioni”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama, duke nënvizuar se “sot transformimi rrënjësor i shërbimeve në këtë sektor dhe i marrëdhënieve me shtetin të qindra mijëra qytetarëve që drejtojnë automjete është një histori e bukur suksesi, që vazhdon me risi të tjera falë Revolucionit Dixhital”.

Kryeministri theksoi se “simulimi i testit zyrtar online në www.dpshtrr.al vjen si një lehtësim i madh për kandidatët dhe rritje e transparencës, cilësisë e sigurisë, së bashku me investime në programe, sisteme, pajisje e rrjete të cilat janë tashmë në zbatim e sipër dhe brenda 2020-ës do mbyllin ciklin e një modernizimi mbresëlënës”.

Në një video informative të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor evidentohet se “për herë të parë në 2019 testi i ri teorik është 63% i përmirësuar; me 25% të fjalive që janë eliminuar dhe 38% të fjalive që janë riformuluar”.

Po ashtu, për herë të parë në 2019 u bë simulimi online i testit teorik zyrtar me 195 986 ushtrime familjarizuese me testin në www.dpshtrr.gov.al.

Ndër faktet domethënëse theksohet se krahasuar me vitin 2018, në vitin 2019 janë 30 420 rikthime në testime më tepër dhe 17.2% më shumë të ritestuar.

Por, edhe pse teste më të kuptueshme e objektive, kandidatë më të familjarizuar e praktika pa pengesa, DPSHTRR thekson se u ul kalueshmëria vjetore me 4.5%.

Sa i takon rritjes së përdoruesve të rrugës, në 2019 ka një rritje me 6.7% të flotës vendase të mjeteve (626 553 mjete) dhe 6% më shumë posedues lejedrejtimi, në total (1040 687). Po ashtu ka 10% rritje të popullsive urbane (qytete); 300% pedalues më shumë në Tiranë.

Edhe pse ka më shumë përdorues dhe mjete në rrugë, në 2019 u regjistruan 245 aksidente më pak ose 14.3% më pak se një vit më parë. Konkretisht në vitin 2018 kishte 1718 aksidente, ndërsa në 2019 1473 aksidente.

Statistikat për aksidente nga të sapopatentuarit tregojnë se në 2019, vetëm 0.02% e gjithë aksidenteve u shkaktuan nga ata, ose 1 aksident për çdo 5 mijë drejtues të rinj.

Sipas DPSHTRR, viti 2020 shënon edhe revolucionin dixhital për monitorimin e testimit teorik dhe praktik. “Upgrade 100% i sistemit eDM; program/pajisje/rrjeti dhe shërbimet online; rritje kapaciteti personalizimi e prodhim/lëshimi i lejedrejtimit; sistem i ri interaktiv eMonitorimi. Monitorim 360gradë figurë/zë, livestreaming; 8 drejtori rajonale me poligone testimi praktik të monitoruara; gjurmim me GPS i venndndodhjes dhe trajektores së përshkuar; all in One mobile camera Full HD (NVR)”, thekson DPSHTRR./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.