Kapshticë/ Ndalohen 13 raste për kalim kufiri të paligjshëm

TIRANË, 18 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Gjatë 17 ditëve të para të këtij viti, janë evidentuar dhe ndëshkuar 13 raste të tentativës për kalim të kufirit me dokumenta të falsifikuara.

Sipas njoftimit të Policisë, “në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të kundraligjshëm në drejtim të falsifikimit dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, si rezultat i masave të shtuara, kanë intensifikuar kontrollet për dokumentacionin që përdorin qytetarët në dalje apo në hyrje të Republikës së Shqipërisë.

Nga data 1 janar dhe deri më 17, nga ana e këtyre shërbimeve gjatë kontrolleve të ushtruara në dalje të Republikës së Shqipërisë, janë konstatuar 13 raste të falsifikimit të vulave në pasaporta, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në lidhje me këto raste, veprimet e mëtejshme janë kryer nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët në përfundim të veprimeve për çdo rast kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 13 shtetas.

Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme”-, përfundon njoftimi i Policisë kufitare Korçë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.