Revolucioni dixhital edhe në shërbim të pensionistëve/ 24 shërbime online nga ISSH, jo më qytetarët në këmbë duke pritur administratën

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama duke i cilësuar revolucion dixhital shërbimet online theksoi sot se “24 shërbime të Institutit të Sigurimeve Shoqërore tashmë janë online përmes “e-albania.al”.

Gjatë inspektimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore për shërbimet online, Kryeministri Rama tha se ” 151 dokumente që deri dje duhet t’i siguronin vetë aplikantët zyrë më zyrë, sot 102 dokumentet që i lëshon shteti, sigurohen nga vetë punonjësit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore”.

“Jo më qytetarët në këmbë duke pritur administratën, po administrata në këmbë për të plotësuar dosjet e qytetarëve dhe kthyer përgjigje pa ecejake, pa radha, pa ryshfet në afatin ligjor”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “këto radhët e gjata që jeni mësuar do mbarojnë po u asistojmë që ta shikoni si bëhet. Të gjitha këto që ju deri dje i merrnit zyrë më zyrë nuk do i merrni më ju, por punonjësit e shtetit, do bëjnë dosjet tuaja. Ju thjesht nga shtëpia, ose tek posta, bëni aplikimin dhe merrni përgjigjen”.

“Të gjithë punën që bënit ju: ik këtej e andej, mbaj radhë, do ta bëjnë punonjësit e shtetit dhe ju do rrini vetëm në pritje. Tani është kollaj, sepse janë të gjitha në kompjuter dhe ti vetë nga shtëpia, pasi aplikon e ndjek procedurën në momentin që vjen data për ta marrë, ti do ta marrësh”, – tha Rama./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.