Nga revolucioni digjital në MIE nuk kërkohen më 46 dokumente/Rama: 33 mijë aplikime për licenca, sot bëhen direkt nga smartfoni apo kompjuteri

TIRANË, 17 janar/ATSH/ 23 aplikime për shërbime dhe licenca që jepen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, tanimë kryhen online vetëm përmes platformës “e-albania.al”.

Kryeministri Edi Rama përmes një video të publikuar bën të ditur se “më shumë se 300 ditë shpenzoheshin në radhë për 33 mijë aplikimet që kryheshin çdo vit vetëm për licencat në fushën e projektimit dhe zbatimit”.

“Falë revolucionit digjital 2020, aplikantëve nuk u kërkohen më plot 46 dokumente shtetërore. 33 mijë aplikime që kryhen mesatarisht çdo vit vetëm për licencat në fushën e projektimit dhe zbatimit, sot bëhen direkt nga smartfonë apo kompjuteri më i afërt pa ecejake, pa radhë, pa ryshfet. Administrata në këmbë për qytetarin. Jo më qytetari në këmbë për administratën”, shprehet Kryeministri Rama.

Një lajm i mirë edhe sa i takon dokumenteve shoqëruese, numri i të cilave është reduktuar me 46 më pak.

“Tashmë jeni të lehtësuar me sigurimin e tyre, pasi nga 128 të tillë ju duhet të siguroni vetëm 82, duke ja lënë shtetit t’u vijë në ndihmë për pjesën e mbetur”, theksohet në videon e publikuar.

Ndërkohë edhe 27 shërbime të tjera të agjencive në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë qytetarët i përfitojnë tashmë vetëm online.

/a.gjonaj/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.