Ministri slloven për ATSH-në: Shqipëria mundësi investimi për sipërmarrësit sllovenë

TIRANË, 17 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Shqipëria është një vend për mundësi investimi për sipërmarrësit nga Sllovenia.

Zdravko Pocivalsek, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë së Sllovenisë, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare bëri të ditur se bashkëpunimi mes dy vendeve është i shkëlqyer.

“Marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Shqipërisë në të gjitha nivelet janë të shkëlqyera, duke nisur nga niveli politik dhe duke vijuar me bashkëpunimin me shkëmbimet tregtare. Gjithashtu dua të theksoj dhe vullnetin tonë për për të rritur bashkëpunimin në turizëm”-, tha ai.

“Shqipëria dhe Sllovenia janë vende të ngjashme. Të dyja vendet kemi alpe ose male, kemi burime natyrore, si dhe bregdetin dhe kjo është e rëndësishme pasi mund të shtrimë bashkëpunimin në shumë fusha por kryesisht në sistemin arsimor, mbështetjen e turizmit dhe zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme. Mendoj se do të gjejmë mundësi pozitive për të bashkëpunuar në investime. Ka shumë kompani sllovene të interesuara për të investuar jashtë vendit dhe Shqipëria mund të jetë një nga mundësitë”-, theksoi Pocivalsek.

“Do të donim të promovonim Slloveninë në Shqipëri si dhe Shqipërinë në Slloveni. Duhet të vëmë re se më shumë se gjysma e sllovenëve udhëtojnë shumë jashtë vendit. Jam i lumtur që rritëm bashkëpunimin në turizëm dhe shpresoj se në të ardhmen do të kemi numër më të madh turistësh sllovenë në Shqipëri dhe anasjelltas”-, përfundoi Zdravko Pocivalsek, Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë së Sllovenisë, i cili ishte të martën ishte i pranishëm në Tiranë në samitin “Turizmi, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, i organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ku morën pjesë dhe ministrat e Turizmit të rajonit dhe operatorë të rëndësishëm turistikë. /sara/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.