KINË – BE: Do t’i drejtohemi OBT-së nëse marrëveshja tregtare SHBA-Kinë dëmton kompanitë europiane

PEKIN, 17 janar /ATSH-AFP/- Bashkimi Europian do t’i drejtohet Organizatën Botërore të Tregtisë, nëse marrëveshja paraprake tregtare e nënshkruar mes Pekinit dhe Uashingtonit shkakton shtrembërime tregtare në dëm të kompanive europiane, njoftoi sot ambasadori i tij në Kinë, Nicolas Chapuis.

“Objektivat sasiorë kineze të blerjeve të mallrave amerikane, të përcaktuara në marrëveshje, nuk janë të pajtueshme me OBT-në nëse ato çojnë në shtrembërime tregtare” tha Chapuis.

“Nëse ndodh kështu, ne do t’i drejtohemi OBT-së për ta zgjidhur këtë çështje”, paralajmëroi ai, në një konferencë shtypi në Pekin.

Të mërkurën, u nënshkrua në Uashington një marrëveshje paraprake tregtare midis dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë, që shënoi një armëpushim në luftën tregtare e nisur që nga viti 2018.

Pekini është angazhuar të blejë 200 miliardë dollarë më shumë në produktet amerikane gjatë dy viteve, në krahasim me nivelet e vitit 2017.

Kjo dispozitë shqetëson BE-në, e cila ka frikë se këto transaksione do të bëhen në dëm të kompanive europiane, duke i lënë pas dore në favor të firmave amerikane./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.