GJERMANI – Maas: Haftar premtoi se do të respektojë armëpushimin aktual

BERLIN, 17 janar /ATSH-AA/- Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, deklaroi se lideri i forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, ka premtuar se do ta zbatojë armëpushimin aktual në vend.

Maas, i cili sot u takua me Haftar në Benghazi, tha në twitter se Haftar është i gatshëm të kontribuojë në përmbylljen e suksesshme të Konferencës për Libinë që do të organizohet më 19 janar në Berlin dhe pjesëmarrjen në princip në këtë konferencë.

“Haftar premtoi se do ta respektojë armëpushimin aktual”, tha kryediplomati gjerman.

Në Moskë delegacionet turke dhe ruse kishin zhvilluar bisedime me palët ndërluftuese në Libi, ku pritej të formalizohej armëpushimi i filluar më 12 janar në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe atij rus, Vladimir Putin.

Marrëveshja u nënshkrua nga Fayez al-Sarraj, kreu i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të pranuar nga OKB, por Khalifa Haftar, komandanti rebel me bazë në lindje të Libisë, mëngjesin e nesërm u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen, duke kërkuar afat dyditor për konsultime.

Në 19 janar, në kuadër të Procesit së Berlinit për zgjidhjen e krizës në Libi, në kryeqytetin gjerman do të mbahet një konferencë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u ka bërë ftesa krerëve të shteteve dhe qeverive për të qenë pjesëmarrës në takim.

Në konferencë do të marrin pjesë përfaqësues nga Turqia, SHBA, Rusia, Britania, Franca, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Republika e Kongos, Italia, Egjipti, Algjeria si dhe nga OKB dhe Bashkimi Europian.  /os/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.