PD i kërkon Prokurorisë të verifikojë të kaluarën e kryetarit të bashkisë Mat

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Partia Demokratike i kërkoi sot zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme të bëjë verifikimin e të kaluarës të kryetarit të bashkisë Mat, Agron Malaj.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u shpreh sot se “Agron Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik”.

“Ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje, dhe sipas ligjit për dekriminalizimin, i ndalohet kandidimi përjetë në një funksion publik. Ky është rasti i pestë pas atij të Shkodrës, Vorës, Vaut të Dejës dhe Mallakastrës, që konfirmon se Edi Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit dhe ndan pushtet me krimin”, tha ai.

Bardhi publikoi vendimin e Gjykatës që sipas tij, “konfirmon dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë të Agron Malajt”.

“Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të veprojë pa asnjë vonesë me administrimin zyrtar të vendimit të Gjykatës së Matit dhe për heqjen e menjëhershme të mandatit për kryetarin e bashkisë së Matit, Agron Malaj”, tha ai.

Në formularin e dekriminalizimit të publikuar edhe në faqen zyrtare të KQZ-së, Agron Malaj ka deklaruar se është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Në mbledhjen e datës 15 maj 2019, KQZ mori vendim “Për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatit për Kryetar Bashkia Mat, z. Agron Rufat Malaj në zbatim të ligjit nr.138/2015 ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

KQZ vendosi në mbledhjen e 15 majit 2019, njoftimin e KZAZ-së, nr. 16 për vazhdimin e procedurave për regjistrimin e kandidatit për kryetar, Bashkia Mat, Qarku Dibër, Agron Malaj të propozuar nga Koalicioni “Alenaca për Shqipërinë Europiane”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019.
/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.