Margariti: Xhevdet Ferri e sillte rolin të gjallë mes nesh, do mbetet i paharruar

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përcolli mbrëmjen e sotme dhimbjen e largimit nga jeta të një prej aktorëve më të mirë shqiptarë, Xhevdet Ferrit pas një sëmundjeje të rëndë.

“Do kisha dashur të ndaja me ju suksesin e tij të radhës, rolin më të ri, projektin më të afërt, por fatkeqësisht do të duhet të ndaj dhimbjen e largimit nga kjo jetë e një prej aktorëve më të mirë shqiptarë, Xhevdet Ferri. Ai ishte nga ata aktorë që rolin e sillte mes nesh të gjallë, të prekshëm, të vërtetë”, u shpreh Margariti.

“Me lojën e tij i ka dhënë më tepër ngjyra galerisë së karaktereve, në filmat shqiptarë dhe do të mbetet i paharruar përmes interpretimesh në filmat “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Hije që mbeten pas”, “Përrallë nga e kaluara”, “Treni niset në 7 pa 5”, “Dasma e Sakos” e shumë e shumë të tjerë, deri te “Delegacioni”, filmi që nisi nga miku i tij i ndjerë, Artan Minarolli e u çua drejt suksesesh nga regjisori Bujar Alimani”, u shpreh ministrja.

“Xhevdet Ferri, ti nuk e kishe mbyllur ende misionin tënd mes nesh, atë të kultivimit të shijes së mirë në publik e ndër studentë. Qofsh i paharruar!”, përfundoi Margariti. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.