LONDËR – Berlini: SHBA presion ndaj europianëve për programin bërthamor iranian

LONDËR, 16 janar /ATSH-AFP/ – SHBA-ja kërcënoi me vendosjen e tarifave doganore për automobilat europianë për t’i shtyrë europianët të aktivizojnë një procedurë kundër Iranit për shkelje të marrëveshjes bërthamore, theksoi sot ministria gjermane e Mbrojtjes.

“Ky kërcënim ekziston”, konfirmoi ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, në një konferencë shtypi në Londër.

Ajo u pyet për një artikull të publikuar nga e përditshmja “Washington Post” që konfirmon se Trump ka kërcënuar Parisin, Berlinin dhe Londrën për vendosje të tarifave doganore prej 25% për automjetet europiane, nëse ato nuk aktivizojnë mekanizmin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (MRD) të marrëveshjes ndërkombëtare mbi programin bërthamor iranian, të arritur në Vjenë në vitin 2015.

Ky pakt, i arritur mes Republikës islamike dhe grupit 5+1 (Kinë, SHBA, Francë, Britani e Madhe dhe Gjermani), është kërcënuar të prishet që prej tërheqjes së njëanshme të SHBA-së në 2018, para rivendosjes së sanksioneve të rënda ekonomike kundër Teheranit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.