Bardhi: Të çojmë deri në fund përpjekjen tonë për të siguruar që çdo qytetar të votojë i lirë

TIRANË, 16 janar /ATSH/ – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka zhvilluar takime me strukturat në Vaun e Dejës dhe Pukë.

Ai është shprehur se në takime “ndamë së bashku shqetësimin se përfaqësuesit e Edi Ramës si në administratën qendrore, edhe në bashki janë persona me të kaluar kriminale, ose njerëz që nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve. Kjo ka sjellë braktisjen masive të qytetarëve, ka shkaktuar varfëri, emigracion dhe pasiguri”, ka thënë ai.

Sipas Bardhit, “rasti i Vaut të Dejës është flagrant. Kryebashkiaku ilegjitim Mark Babani vazhdon të ushtrojë detyrën me mbrojtjen e Edi Ramës, megjithëse në dokumentet e burgjeve italiane rezulton i dënuar për vjedhje makinash. Për ne është e rëndësishme që alternativa kriminale e Edi Ramës në qeverisjen e vendit është demaskuar në sytë e qytetarëve. Bashkë me qytetarët dhe çdo demokrat nga cep më i largët i Shqipërisë, ne jemi gati ta zhbëjmë këtë të keqe dhe të ndalim bashkëqeverisjen me krimin.”

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.