Programi i Rindërtimit/ Publikohen kriteret, kategoritë prioritare dhe rregullat për vlerësimin e përfituesve

TIRANË, 15 janar/ATSH/- Akti Normativ i miratuar nga qeveria për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore dhe që rregullon kushtet, kriteret, kategoritë prioritare, masën e përfitimit, procedurat dhe rregullat për vlerësimin e përzgjedhjen e përfituesve nga disa programe të procesit të rindërtimit është publikuar në fletoren zyrtare.

Subjektet përfituese, sipas këtij vendimi, janë individët dhe familjet, që kanë humbur një ose më shumë anëtarë të familjes dhe/ose kanë pësuar dëme në banesat e tyre dhe kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fatkeqësisë natyrore, në njësitë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, por edhe subjekte të tjera.

Kriteret e përparësisë për renditjen e përfituesve janë: familjet që kanë humbur familjarët nga fatkeqësia natyrore; familjet një prindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna; familjet që kanë në përbërje personat me aftësi të kufizuara; të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit; familjet në skemën e ndihmës ekonomike; të rënët në krye të detyrës.

Aplikimi për të përfituar nga programet e procesit të rindërtimit sipas parashikimeve të këtij vendimi bëhet me dy faza.

Në fazën e parë, aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e procesit të rindërtimit.

Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej këtyre programeve.

Përfshirja në programet e rindërtimit bëhet nëpërmjet aplikimit në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku individi/familja ka vendbanimin.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore krijojnë, administrojnë dhe përditësojnë bazën e të dhënave për individët dhe familjet që kanë humbur familjarë dhe/ose kanë mbetur të pastrehë si pasojë e fatkeqësisë natyrore, si dhe për plotësimin e nevojave të tyre nga programet e procesit të rindërtimit.

Kërkesat e plotësuara me të dhënat dhe dokumentacionin sipas parashikimit të këtij vendimi regjistrohen sipas rendit kronologjik në sistemin e posaçëm elektronik nga strukturat përgjegjëse.

Regjistri i kërkesave përmban informacionin që mundëson përpunimin e të dhënave si: emrin, atësinë, mbiemrin; numrin e kërkesës; datën e dorëzimit/paraqitjes së aplikimit; objektin e kërkesës, përfshirë edhe preferencën e paraqitur për programin e rindërtimit; adresën e kërkuesit; përbërjen familjare në momentin e aplikimit; akt konstatimin/akt ekspertizën e thelluar, të lëshuar nga çdo person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës tregtare, i pajisur me lejen, licencën ose autorizimin përkatës nga autoritetet shtetërore për vërtetimin e gjendjes së rrezikut për jetën dhe shëndetin, në të cilin vërtetohen dëmet që ka pësuar ndërtesa apo që është shpallur si e pabanueshme; dokumentin e pronësisë ose çdo akt për fitimin e pronësisë së banesës së dëmtuar.

Përfituesit nuk mund të përfitojnë në të njëjtën kohë nga më shumë se një program i procesit të rindërtimit, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në aktin normativ që rregullon përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore.

Subjektet përfituese nga programet e procesit të rindërtimit janë familjet, që kanë humbur banesat si pasojë e shembjeve të ndërtesave (pallateve) dhe përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i rindërtimit të godinave në të njëjtin truall ose programi i fondit të banesave.

Familjet në qytet, që kanë humbur shtëpitë individuale si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i granteve të rindërtimit ose programi i fondit të banesave.

Familjet në fshat, që kanë humbur shtëpitë individuale jashtë ose brenda zonës së urbanizuar të territorit rural, si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i granteve të rindërtimit.

Familjet që kanë dëmtime në banesa ose shtëpi individuale nga fatkeqësia natyrore, të cilat nuk kanë nevojë të rindërtohen nga e para, trajtohen me grante rikonstruksioni.

Shoqëritë tregtare, të vogla e të mesme, vendet e kryerjes së aktivitetit të të cilave janë dëmtuar dhe/ose zhvendosur për shkak të fatkeqësisë natyrore, vërtetuar me dokumente zyrtare, me qëllim rikonstruksionin e shpejtë ose sigurimin e mjediseve të përshtatshme për kryerjen e veprimtarisë nga punëmarrësit përfitojnë mbështetje ekonomike./a.gjonaj/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.