Miratohen procedurat për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit: programit të punësimit; formimit nëpërmjet punës dhe praktikave profesionale.

Programet zbatohen në përputhje me nevojat individuale të punëkërkuesit për t’u integruar në tregun e punës dhe në planin individual të integruar për punësimin e tij.

Ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit përcakton çdo vit prioritetet dhe miraton planin e zbatimit të fondeve të nxitjes së punësimit, pas propozimit nga drejtoria e përgjithshme e institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

Punëkërkuesit me të drejtë përfitimi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë të regjistruar dhe aktivë, për jo më pak se 3 (tre) muaj në zyrën e punës, pasi të kenë marrë shërbimet e nevojshme të punësimit të përcaktuara në legjislacionin në fuqi nga specialisti përkatës i punësimit. Nevojat dhe profili i punëkërkuesit duhet të përshtaten me kërkesat për aftësi të vendit të lirë të punës të ofruar nga punëdhënësi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.