Kapshticë/ Sekuestrohen 25 000 euro, procedohen 2 poseduesit

TIRANË, 15 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Policia e kufitare e Kapshticës ka ndaluar dy persona që tentuan të kalonin kufirin, duke fshehur transportin e një shume prej 25 000 eurosh.

Drejtoria Vendore e Policisë së Korçës, njofton se, “në vijim të kontrolleve të imtësishme, me qëllim parandalimin e krimeve ndërkufitare, shërbimet e Policisë Kufitare në P.K.K Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, përzgjodhën për kontroll në vijën e dytë shtetasin J. R., 46 vjeç, nga Memaliaj, rezident në Greqi dhe shtetasen bullgare D. D., 31 vjeçe, të cilët udhëtonin me mjetin e tyre”.

“Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, këtyre shtetasve iu gjet një sasi prej 25 000 eurosh, të fshehura në trup, të cilat nuk i kishin deklaruar para autoriteteve. Veprimet në lidhje më këtë rast janë kryer nga specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik në DVP Korçë, të cilët kanë filluar procedimin penal ndaj këtyre shtetasve”-, përfundon njoftimi i Policisë së Korçës. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.