Durrës, 29 leje për riparimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti brenda 5 muajve

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Bashkia e Durrësit ka miratuar 29 leje të përshpejtuara për riparimin e objekteve, kryesisht pallate, si pasojë e tërmetit, ndërsa afati i punimeve është nga 3 muaj deri në 5 muaj.

Pas përfundimit të punimeve vetëm në këto 29 objekte do të rikthehen 913 familje të prekura nga tërmeti.

Në mbledhjen e radhës së Shtabit të Emergjencave të qarkut Durrës nën drejtimin e kreut të këtij shtabi, zv/ministres së Brendshme, Rovena Voda, kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj theksoi se “puna vijon intensivisht në mbarëvajtjen e procesit të konstatimit të dëmeve nga grupet në terren, në menaxhimin e banorëve të strehuar në strukturat hoteliere, në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit për rikuperimin e dëmeve nga tërmeti, për procesin e bonusit të qirasë si edhe në implementimin e vendimit të qeverisë për tërmetin”.

Sipas bashkisë së Durrësit, deri tani 1417 aplikantë i kanë kaluar Drejtorisë Ekonomike për zbatim, ndërkohë që puna vijon për miratimin e aplikantëve të tjerë. Në dy listat paraprake të miratuara deri tani nga këshilli bashkiak janë gjithsej 3863 emra. Aktualisht ndodhen nëpër hotele rreth 1500 qytetarë nga 3000 persona që ishin të strehuar në dhjetor.

Në mbledhjen e shtabit të emergjencave ishin të pranishëm, prefekti Roland Nasto, zv/ministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka, koordinatori i Zyrës së Bashkëqeverisjes Ernest Pupla, si edhe përfaqësues nga Drejtoria Vendore e Policisë së qarkut Durrës. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.