Taskforcë italiane në zonat e prekura nga tërmeti në mbrojtje të trashëgimisë kulturore

TIRANË, 14 janar /ATSH – I. Vata/- “Ministri italian i Trashëgimisë Kulturore Dario Franceschini ka urdhëruar ndërhyrjen e Taskforcës italiane në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit”.

Kështu deklaroi sot në Tiranë, nënsekretarja e Shtetit për Trashëgiminë dhe Veprimtaritë Kulturore në Itali, Anna Laura Orrico, në fjalën e saj në samitin ndërkombëtar “Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, ku marrin pjesë Shqipëria, Greqia, Italia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi.

Ajo tha se “misioni do të fillojë të dielën dhe do të zgjasë një javë. Kontingjenti do të përbëhet nga tre zyrtarë të Ministrisë një arkitekt, një restaurues, një fotograf dhe nga dy komandantë ushtarakë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Është një staf që ka fituar përvojë të rëndësishme në sigurinë e trashëgimisë kulturore në Italinë Qendrore, aftësi që tani do të vihen edhe në shërbim të Shqipërisë”.

“Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet vendeve më të prekura brenda një rrezeje 50 km nga epiqendra e tërmetit. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, Taskforca do të përgatisë në veçanti një relacion mbi shtirjen e dëmeve në trashëgiminë kulturore. Do të përcaktojë specifikime mbi masat e sigurisë  për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. Do të jap udhëzimet e para teknike për përgatitjen e qendrave të para të depozitimit të cilat do të vendosen përkohësisht objektet e Trashëgimisë Kulturore të dëmtuara”, tha Orrico.

Po ashtu ajo sqaroi se “ministri italian i Trashëgimisë Kulturore, Franceschini ka urdhëruar ndërhyrja e një taskforce italiane në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, pas kërkesës së ministres së Kulturës, Elva Margariti”.

Nga ana tjetër Anna Laura Orrico falënderoi Qeverinë shqiptare, Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Turizmit, Blendi Klosi për ftesën dhe mikpritjen në këtë samit.

“Për mua është kënaqësi e madhe të jem sot këtu dhe të ritheksoj afërsinë e Qeverisë së Italisë për popullin shqiptar, i cili u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Jam veçanërisht i kënaqur me këtë vizitë edhe për më shumë arsye personale. Unë kam një lidhje të fortë me Shqipërinë nga nëna ime që është Arbëreshe. Prej saj mësova të vlerësojë kulturën dhe traditat shqiptare. Jam krenare për origjinën time dhe rrënjët e mia”, tha ajo.

Në vijim, Orrico shtoi se “samiti i sotëm është një takim i rëndësishëm, pasi njeh përpjekjen e madhe që ka bërë Shqipëria dhe po bën për të kapërcyer atë moment të tmerrshëm. Në Itali për fat të keq, ne i njohim mirë plagët e thella që shkakton tragjedia që nga viktimat e deri tek dëmtimi i trashëgimisë kulturore. Gjatë vitet e fundit, Italia Qendrore është goditur nga tronditjet sizmike, ai që shkatërroi L’Aquila në 2009 dhe ato të 2016-ës që goditën Lazio, Marche, Umbria dhe Abruzzon. Pra, ne e dimë se çfarë do të thotë dhe sa e vështirë dhe e mundimshme është rindërtimi, sa përpjekje e madhe kolektive për të filluar sërish nga e para. Në këto momente vështirësie u pa zemra e madhe e popullit shqiptar. Dëshmia e kësaj është shprehja e solidaritetit të  strukturave të hotelierëve të zonës së Durrësit, të cilët menjëherë u vunë në dispozicion për të mirëpritur mijëra të shpërngulur. Një gjest i bukur i bujarisë”.

Po ashtu Orrico shtoi se “Italia, një vend fqinj dhe mik, ofroi ndihmë të menjëhershme duke dërguar persona dhe mjete për të përballur emergjencat e para. Në të njëjtën kohë, ne jemi angazhuar dhe kemi ofruar mbështetje edhe në fazat e më pasme, duke vendosur në dispozicion teknikët tanë më të mirë. Gjithashtu po i kushtojmë një vëmendje të trashëgimisë Kulturore, ruajtjes dhe rimëkëmbjes së saj. Përvoja na ka mësuar se sa e rëndësishme është që në zonat e prekura nga tërmetet, të mbështesim rindërtimit material krahas atij shoqëror. Kjo do të thotë se nuk mjafton vetëm të ndërtosh shtëpi për të filluar përsëri është e nevojshme të rindërtoni pëlhurën shoqërore. Në këtë kuptim, kultura luan një rol themelor, sepse promovon bashkimin, zvogëlon ndjenjën e përkatësisë dhe rrit dëshirën për tu qëndruar së bashku. Rikuperim i  trashëgimisë kulturore do të thotë t’u kthehet komuniteteve të goditura ato vende dhe ato simbole identiteti në të cilat ata njohin vetveten, dëshmitë më domethënëse nga e kaluara e tyre. Kjo ju lejon të rikuperojnë rrënjët historike. Është një proces me rëndësi të madhe”.

“Një temë tjetër që është veçanërisht e dashur për mua është ajo e zhvillimit të politikave të përbashkëta për turizmin, për forcimin e shkëmbimeve kulturore, për nisma që synojnë promovimin e njohurive të ndërsjellta. Në fakt, Shqipëria nuk është vetëm një vend fqinj dhe një aleat i rëndësishme për Italinë por dhe një partner strategjik ku na bashkojnë lidhjet historike dhe kulturore”, tha Orrico.

Duke folur për komunitetin shqiptar që jeton në Itali, Orrico tha se “në Itali jetojnë 500 mijë shqiptarë, komuniteti më i madh shqiptar jashtë vendit, dhe ka rreth 30 mijë kompani shqiptare të vogla dhe të mesme. Pra komuniteti shqiptar i sjellë një kontribut të madh ekonomisë tonë. Italia nga ana tjetër është deri tani partneri i parë ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë dhe janë të shumtë shtetasit italianë që kanë gjetur dhe vazhdojnë të gjejnë në Shqipëri mundësi të rëndësishme. Gjithashtu Qeveria italiane ka kohë që përkushtohet me seriozitet në mbështetje të hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera, por ekziston dhe vullneti i mirë nga të dyja vendet për të bërë edhe më shumë”.

Orrico vlerësoi dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë dhe rritjen e turizmit gjatë viteve të fundit.

“Për sa i përket turizmit bukuritë e Shqipërisë tashmë janë të njohura dhe kjo dëshmohet nga rritja e numrit të turistëve, përfshirë këtu dhe ato nga Italia gjatë viteve të fundit. Por ekziston edhe një lloj tjetër i turizmit në të cilin mundeni përqendrohemi. Do të doja të forcoja bashkëpunimin midis dy vendeve tona për forcimin e kësaj trashëgimie të përbashkët të krijuar nga historia, gjuha, traditat, ushqim, rite fetare”, përfundoi ajo. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.