Reforma Zgjedhore/ Basha: Të mandatuar Bylykbashi dhe Vasili për t’u dakortësuar me PS

TIRANË, 14 janar /ATSH – I. Vata/- Kryetari i PD, Lulzim Basha tha sot në një prononcim për mediet se “kemi mandatuar Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili për t’u dakordësuar me PS për mekanizmin për ecjen para me reformën zgjedhore”.

“Prej muajit tetor PD ka insistuar në një mekanizëm gjithëpërfshirës dhe transparent për të përfunduar reformën zgjedhore që i paraprin procesit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Prej muajt shtator ky është tashmë dhe një kusht i patejkalueshëm i parlamenti gjerman gjerman i Bundestagut”, tha ai.

Basha shtoi se “kanë kaluar 4 muaj dhe ky proces është zvarritur si shenjë e mungesës së vullnetit nga pala tjetër. Sot opozita e bashkuar rikonfirmon qëndrimin e saj për nisjen pa vonesë dhe përfundimin një orë e më parë të reformës zgjedhore, dhe mandaton Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për të dakordësuar mekanizmin për ecjen para me reformën zgjedhore, duke i qëndruar plotësisht të gjitha pikave të parashtruara në tetor. E para krijimin e një mekanizëm gjithëpërfshirës transparent me pjesëmarrjen e forcave politike dhe me mundësi dhe akses të çdo faktori tjetër shoqëror, qytetarë dhe të grupeve të interesit. Së dyti miratimin me konsensus jashtë parlamentit dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore të çdo propozimi për reformën zgjedhore të çdo propozimi për reformën zgjedhore. Së treti kalimin e çdo aspekti të miratuar me konsensus pa asnjë ndryshim në seancën plenare dhe me këtë mandat të pandryshueshëm kemi mandatar dy përfaqësues të negociojnë me palën tjetër që shqiptarët të mos humbin asnjë minut kohë për të përfunduar një orë e më parë reformën zgjedhor për ti hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe ndershme si rruga e vetme për daljen nga kriza politike.”

Për sa i përket zgjidhjes së krizës, Basha tha se “kriza zgjidhet me zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet lokale me një Kod Zgjedhor që adreson problemet e  shitblerjes së votës, kërcënimit të votuesve, presionit ndaj administratës zgjedhore, depolitizimit të Policisë së Shtetit, infrastrukturës zgjedhore, lirisë së media dhe një instrument politik që garanton vullnetin politik për të zbatuar çdo ligj ekzistues apo që do të ndryshohet me konsensusin e të gjitha forcave politike”.

Në lidhje me prekjen e ndryshimeve në sistem të Kodit Zgjedhor, Basha tha se “PD dhe aleatë kanë folur dhe janë të qartë. Jemi dhe mbetemi të hapur për të diskutuar për çdo lloj sistemi, por praktika e viteve të fundit ka treguar qartë se problemi kryesor i zgjedhjeve të shqiptarëve ka qenë blerja e votës, përdorimi i parave të pista bashkëpunimi me krimin dhe mos ndëshkimi i krimeve elektorale”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.