Pas 30 vitesh merr zgjidhje furnizimi me ujë për banorët e Njësisë Administrative Katund i Ri në Durrës

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Skemat e reja të ujësjellësit po vijojnë të ndërtohen në të gjithë vendin.

Në Durrës në Njësinë Administrative, Katund i Ri ndërhyrja në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ju vjen në ndihmë banorëve të fshatrave Jube, Erzen Sukth, Qerret, Katund i Ri, Fllake, Sektori Rinia, Manëz dhe Lagjja e Mirditorëve.

Tashmë falë një investimi nga KfW, IPA 2013, WBIF dhe Qeveria Shqiptare qindra familje të këtyre fshatrave marrin zgjidhje për furnizimin me ujë të pijshëm, çka do tu përmirësojë kushtet bazë të jetesës.

Bashkia po vijon me ritme të shpejta punën për një prej projekteve më madhore, një kërkesë kjo e vazhdueshme prej më se 30 vitesh e banorëve të zonës.

FSHZH-ja bën të ditur se në terren punimet po vazhdojnë me vendosjen e tubacioneve në rrjetin e brendshëm dhe për çdo kantier janë vendosur tabelat informuese, pasi është bërë paraprakisht plani i menaxhimit mjedisor.

“Gjithashtu janë bërë gërmimet, betonuar pilotat tek depo e ujit kulle 200 m3. Është hedhur shtresa e çakullit e shtresa e varfër e betonit, si dhe është bërë përgatitja e hekurit të pllakës e betonuar”, njoftoi FSHZH.

Në javët në vazhdim do të punohet me linjat në rrjetin e brendshëm dhe të jashtëm të ujësjellësit.

/a.gjonaj/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.