Ministri i Maqedonisë së Veriut apel turistëve: Vizitoni bregdetin e Shqipërisë

TIRANË, 14 janar/ATSH/- Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, i bëri apel sot në Tiranë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera, që “pas ngjarjeve të tilla , si ajo e tërmetit të 26 nëntorit, edhe më shumë ta vizitojnë bregdetin e Shqipërisë”.

Në fjalën e tij në samitin ndërkombëtar “Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, ku marrin pjesë Shqipëria, Greqia, Italia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi, ministri Bekteshi theksoi se “Shqipëria nuk është vetëm fqinji i ynë, por edhe vend miqësor e partner strategjik i Maqedonisë së Veriut”.

“Përveç , qytetarëve të qyteteve të tjera, bashkëkombësve që jetojnë në fqinjësi apo në Europë dhe botë janë vendet fqinje, të cilët janë gjithmonë të parët aty kur dikush ka nevojë. Vendi ynë solidar, qytetarët e Maqedonisë se Veriut dhe në veçanti shkupianët e kujtojnë dëmin nga tërmeti katastrofik në 1963 kur ndodhi në Shkup atëherë ishte thelbësore ndihma që vinte nga të gjitha kombet e botës dhe falë kësaj ndihme ne arritëm të rindërtojmë kryeqytetin tonë”, – theksoi Bekteshi.

Menjëherë, vijoi ai, pas tërmetit në Shqipëri ne dërguan ndihma jo vetëm financiare, por edhe ekipe me 50 persona për të shpëtuar dhe siguruar ndihmën e parë për qytetarët e zonave të prekura.

“Ekipet tona ishin ndër të parët që mbërritën në zonat e prekura dhe që ofruan ndihmë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut hapën edhe dyert për qytetarët e prekur që kishin mbetur pa shtëpi dhe ofruan ndihmë e mbështetje për strehim. Falënderoj gjithë qytetarët komunitetin e biznesit dhe të gjithë institucionet e Maqedonisë së Veriut, që morën pjesë në aksionin për shpëtimin, të cilët hapën dyert e shtëpive dhe dhuruan me bujari për të dëmtuarit nga tërmeti dhe treguan solidaritetin e tyre dhe më këtë rast treguan solidaritetin e Maqedonisë së Veriut”, – nënvizoi Bekteshi.

Sipas tij, këto fatkeqësi natyrore lënë një shenjë të madhe jo vetëm te banorët, por edhe tek qytetet, zonat dhe rajone të tëra.

“Duke marrë parasysh edhe analiza të bëra nga organizata të njohura botërore në raste katastrofash të tilla me siguri do të ketë një numër më të vogël të turistëve që i vizitojnë këto zona. Por me aktivitete të tilla të organizuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë me mbështetjen e të gjithë vendeve të rajonit, të gjithë organizatave botërore jam i bindur që në Republikën e Shqipërisë do të ketë rritje të numrit të turistëve do të krijohen më shumë vende pune nga industria e turizmit. Ne na mbetet të ndihmojmë Shqipërinë për të rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti”, – tha Bekteshi./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.