Më 8 maj zgjedhjet për drejtuesit e rinj të universiteteve/ Shahini: Kontroll antiplagjiaturë kandidatëve

TIRANË, 14 janar /ATSH/ – “Kemi shpallur datën e zgjedhjeve për strukturat e reja drejtuese në universitetet publike dhe kjo datë është 8 maj 2020. Fushata fillon një muaj përpara, pra më 9 prill të këtij viti, ndërsa universitetet janë të detyruar që të publikojnë rregulloret e zgjedhjeve 60 ditë përpara, pra më 8 ose 9 mars të këtij viti”, – deklaroi në një konferencë për mediet ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini.

Në kuadër të “Paktin për Universitetin”, Shahini foli edhe hapjen e programeve të ciklit të tretë, për antiplagjiaturën dhe rikonstruksionin e konvikteve të Korçës, Shkodrës dhe Vlorës.

“Këto janë zgjedhjet e dyta që bëjnë universitetet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Arsimin e Lartë. Këto zgjedhje do jenë të mira dhe të drejta e jo diskriminuese dhe që universitetet do tregojnë se me të vërtetë mund të zbatojnë autonominë që e kanë marrë me Ligjin për Arsimin e Lartë”, – tha Shahini.

Ajo shtoi se, “risia e këtij viti në këto zgjedhje është se kandidatët për struktura drejtuese duhet të jenë persona me integritet të lartë akademik. Mënyra se si do sigurohet kjo është që kemi kërkuar që këshillat e etikës në secilin universitet të bëjnë kontrollin e ligjshmërisë së marrjes së gradës shkencore dhe të titullit akademik për të gjithë kandidatët. Gjithashtu do përfshihet dhe kontrolli antiplagjiaturë të produkteve me të cilat kandidatët kanë fituar gradën dhe titullin akademik”.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë përmes rrjetit akademik shqiptar ka blerë qasje në platformën që bën kontrollin antiplagjiaturë në gjuhën shqipe. Në nëntor të vitit të shkuar kemi mbledhur rektorët dhe i kemi prezantuar platformën, e cila do zbatohet fillimisht duke verifikuar produktin akademik të kandidatëve për struktura drejtuese në përgatitje për procesin zgjedhor në institucionet e arsimit të lartë publik”, – vijoi Shahini.

“Çështja tjetër ka të bëjë me ciklin e tretë të studimeve pra me doktoraturën dhe masterin ekzekutiv, ku për këtë cikël përfundimisht kemi mbyllur dhe bazën ligjore që rregullon themelimin e programeve të doktoraturës dhe masterave ekzekutivë. Universiteti aplikon në Ministrinë e Arsimit për licencën e programit për hapjen e programit të doktoraturës duke dëshmuar se projektin kërkimor-shkencor e ka të themeluar dhe të mirëfinancuar”, – tha Shahini.

Shahini shtoi se, “qëllimi kryesor i hartuesve të Ligjit të Arsimit të Lartë ka qenë që doktoranti të kryejë kërkim shkencor në mënyrë që t’i kontribuojë shkencës. Për përftimin e gradës ‘Doktor’ janë mbajtur të njëjtat kritere që kanë qenë në VKM-në e mëparshme. Studenti duhet të ketë tre artikuj në revista shkencore. Kandidati për doktoraturë duhet të publikojë në revista shkencore. Afatet për aplikimin e doktoraturës është 15 shkurti, ndërsa për vitet e tjera duhet të jetë në shtatorin e vitit të përparëm. Aplikimi për 2021 duhet brenda 15 shkurtit”.

Ministrja Shahini u shpreh se programet e studimit do të kryhen online.

“Ndryshimi i udhëzimit për programin e studimit. Aplikimi i fazës së parë do të bëhet elektronikisht. Pastaj universiteti kërkon dokumente  për fazën e dytë. Edhe ky aplikim do të bëhet elektronikisht. Do të bëhet me adresë elektronike. Po përfundojmë dokumentet që i gjithë aplikimi të jetë online”, – tha Shahini.

Shahini ndër të tjera është shprehur se për Universitetin e Tiranës ka patur një mori ankesash të cilat janë bërë edhe kundrejt drejtuesve.

“Gjatë 2019 kemi marrë shumë ankesa në lidhje me Universitetin e Tiranës dhe ajo që është e çuditshme nga këto ankesa është që ato na vijnë dhe nga strukturat drejtuese pra rektori, dekanët dhe bordi administrues. Kjo do të thotë se situata në drejtimin e këtij universiteti nuk është përmirësuar. Ankesat nga Universiteti i Tiranës nuk vijnë nga paqartësitë nga ligjet, VKM-të apo nga urdhrat që nxjerrim ne por vijnë nga refuzimi i zbatimit të kësaj baze ligjore nga rektori”, – u shpreh Shahini.

Ajo vijoi se, “vitin e kaluar unë propozova shkarkimin e rektorit bazuar mbi një sërë shkeljesh ligjore nga ana e tij, si një zgjidhje e mundshme e situatës së paligjshmërisë dhe hapjen e rrugës për një reformë në universitet, por Presidenti vendosi të mos pranojë propozimin tim dhe la në detyrë një rektor, i cili vazhdon të shkaktojë probleme serioze në menaxhimin e Universitetit. Zgjedhjet e 2020-ës do prodhojnë udhëheqës që punojnë për të mirën e Universitetit të Tiranës dhe kjo është në duar të pedagogëve dhe studentëve të këtij universiteti”.

Në fund ministrja u ndal te ndërtimi i konvikteve dhe te buxheti i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

“Punimet në strukturë janë mbyllur në konviktet e Korçës, Shkodrës dhe Vlorës dhe ka mbetur vetëm çështja e mobilimit, kjo për shkak të angazhimit që patën për tërmetin e 26 nëntorit. Besoj që deri në fund të këtij muaji dhe në fillim të muajit tjetër do përfundojë mobilimi i këtyre konvikteve. Deri në pranverë besoj që këto konvikte do jenë gati për studentët”, – tha Shahini.

“Buxheti i Ministrisë së Arsimit nuk është prekur, thjesht janë riorientuar tek rindërtimi i shkollave specifike që janë dëmtuar nga tërmeti. Pra buxheti i Ministrisë së Arsimit nuk do shkojë në rindërtim të përgjithshëm, thjesht do riorientohet tek rindërtimi i shkollave të prekura nga tërmeti”, – përfundoi Shahini.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.