Kurti publikon ofertën e fundit qeverisëse ndaj LDK-së

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka publikuar ofertën e fundit që ia ka bërë partnerit të tij në bisedime, LDK-së, për arritjen e një marrëveshje për formimin e qeverisë së ardhshme.

Në ofertën e Kurtit parashihet që të shtohen edhe 2 ministri, nga 12 sa ishin pajtuar më parë, tani të bëhen 14 ministri, ku 6 ministri do t’i ketë LDK, 5 LVV dhe 3 minoritetet.

Shkresa e plotë e Kurtit:

Propozimi i Vetëvendosjes për arritjen e koalicionit me LDK-në

Në takimin e fundit me ekipin e LDK-së na është thënë që propozimi ynë për arritjen e marrëveshjes së koalicionit do t’i dërgohet Këshillit të Përgjithshëm të subjektit të tyre politik për vlerësim (pranim ose refuzim). Andaj është e pakuptimtë të deklarohet se jemi në pritje të propozimeve të reja nga ana e Vetëvendosjes! Propozimi ynë i nxjerrë (si kompromisi i katërt brenda të njejtit takim), mbrëmë i është dërguar me shkrim kryetarit Mustafa. Në përpilimin e këtij propozimi,Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton asesi), vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh). Shumica e skenarëve që janë listuar nëpër media gjatë ditës së sotme nuk janë nxjerrë nga propozimi origjinal, por janë më tepër të derivuara nga spekulimet që kanë qarkulluar në vazhdimësi në media.

Nisur nga fakti se vendi ndodhet para një udhëkryqi jetik që do ta determinojë fuqishëm perspektivën e vendit dhe orientimit drejt ndryshimit vendimtar për të mirë apo zhytjes së mëtejme në krim, korrupsion e mjerim, është shumë me rëndësi që vendimi (rekomandimi) i anëtarëve të KP të LDK-së të jetë reflektim i saktë i pritjeve dhe bindjeve të tyre. Tentimi për imponim të qëndrimeve të tyre përmes deklarimeve të hershme publike të personave të cilët që nga fillimi kanë lënë të kuptojnë se nuk e preferojnë një koalicion me VV, mund të rezultojë tepër i dëmshëm në kontekst të seriozitetit të momentit në të cilin ndodhemi.”/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.