Himarë, banorët e Pilurit furnizim 24 orë me ujë të pijshëm brenda qershorit 2020

TIRANË, 14 janar/ATSH/- Banorët e fshatit të Pilurit në Himarë do të furnizohen brenda 6 muajve të parë të këtij viti 24 orë me ujë të pijshëm.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Himara, bën të ditur se “ka filluar puna për ujësjellësin e ri të Pilurit. Një bashkëfinancim i KFV- Gjermane, bashkisë Himarë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ky investim do të përfundojë brenda 6-mujorit të parë të vitit 2020 dhe do të furnizojë të gjitha familjet dhe bizneset e fshatit me ujë 24 orë”.

Ky investim është pjesë e programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale IV” që synon përmirësimin infrastrukturës së Ujësjellës-Kanalizimeve në bashkinë Himarë dhe zonat përreth, për të garantuar furnizim me ujë të pijshëm për popullsinë lokale dhe turistët në zonën e projektit, me kosto sociale të pranueshme dhe tarifa që i mbulojnë kostot.

Konsumatorët do të pajisen me matësa uji, ndërsa funksionimi dhe mirëmbajtja e ujësjellësit do të bëhet nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve pranë bashkisë së Himarës./k.s/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.