Hetime për dhënien e lejes për të burgosurin/ Shkarkohen 4 zyrtarë të burgjeve

TIRANË, 14 janar/ATSH-A. Fortuzi/-Drejtori i Burgut të Peqinit, Emin Shpata, drejtori i Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçorri, si edhe dy zyrtarë të tjerë janë liruar nga detyra për shkelje të rënda, pasi janë përfshirë në dhënien e lejes për Dritan Dajtin për një vizitë mjekësore të kryer prej të dënuarit në Tiranë.

Sipas njoftimit, “Ministria e Drejtësisë, pasi është vënë në dijeni, se më datë 10.01.2020, i dënuari Dritan Dajti ishte shoqëruar nga efektivët e Policisë së Burgjeve për të kryer disa vizita mjekësore në poliklinikën e specialiteteve Nr.2 në Tiranë si dhe në një klinikë private në zonën e ish-bllokut, ka ngritur dy grupe pune të pavarura për fillimin e hetimit për zbardhjen e ngjarjes.

Nga hetimi dhe analizat e pavarura të tërësisë së fakteve dhe provave të kryera nga grupet e hetimit, kanë arritur në të njëjtat rezultate duke konstatuar se strukturat drejtuese dhe të kujdesit shëndetësor në IEVP-në Peqin si dhe strukturat shëndetësore e policore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të përfshira në trajtimin e rastit konkret, nuk kanë ndjekur procedurat ligjore dhe rregulloret e brendshme për vlerësimin e kërkesës së të dënuarit për kontrolle mjekësore jashtë institucionit të burgjeve. Dhe lëvizja e të dënuarit të sigurisë së lartë nga burgu i Peqinit në qendër të Tiranës (zonën e ish-bllokut), në shkelje të parashikimeve ligjore dhe të gjitha rregullave përbën cenim të rendit dhe sigurisë publike.

Pas kryerjes së hetimit dhe analizave të kryera nga grupet e hetimit, evidentimit të përgjegjësive të të gjithë strukturave dhe punonjësve të përfshirë, janë marrë këto masa: Lirimin nga detyra të Drejtorit të IEVP-së Peqin, Emin Shpata për shkelje të rëndë. Lirimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçorri për shkelje të rëndë. Largim nga puna të mjekut të IEVP Peqin,  Andi Andoni. Lirim nga detyra të shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ferit Mici. Vërejtje me paralajmërim për mjeken e DPB  Ermira Qirinxhi. Vërejtje me paralajmërim për inspektorin e IEVP Peqin, Mefat Shehu.

Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë bën me dije se nga vlerësimi i kryer edhe i kuadrit ligjor dhe protokollove të zbatimit për rregullimin e të drejtave të personave për shërbim shëndetësor privat dhe në krahasim me aktet ndërkombëtare dhe të drejtat e personave të dënuar, janë konstatuar disa mangësi në normimin e proceseve të tilla.

Për këtë arsye, në përputhje dhe me të drejtat e personave të paraburgosur dhe të dënuar dhe rregullat evropiane për të dënuarit, me qëllim përshtatjen me masat që janë ndërmarrë për forcimin e sigurisë, Ministria e Drejtësisë shpreh vullnetin institucional dhe po ndërmerr të gjitha masat ligjore për rishikimin e procedurave ligjore dhe administrative për forcimin e protokollove të zbatimit dhe vlerësimit të kërkesave që cenojnë sigurinë publike”-, njofton Ministria e Drejtësisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.