FSHZH investime në Maliq: Zona me potencial të lartë agroturistik, lehtësojmë daljen më shpejt në treg të mallrave

TIRANË, 14 janar/ATSH/- Rikualifikimi urban i bulevardit Maliq – Drithas do të ketë një impakt të menjëhershëm për Maliqin, pasi lehtëson daljen më shpejt në treg në një zonë bujqësore dhe me potenciale të mëdha agroturistike.

Fondi Shqiptari Zhvillimit, i cili edhe po zbaton projektin bën të ditur se ky është një ndër investimet më të rëndësishme me financim të qeverisë shqiptare, në funksion të urbanizimit dhe lehtësimit të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve.

Segmenti lidh Maliqin me Drithasin dhe Libonikun, si dhe me aksin Korçë – Pogradec.

“Ky investim ka një impakt të menjëhershëm për Maliqin, pasi lehtëson daljen më shpejt në treg në një zonë bujqësore dhe me potencial të madh agroturistik”, bën të ditur FSHZH.

Investimet në Maliq përfshijnë edhe ndërhyrjen në fasadat e pallateve, rreth 12 mijë metra katrorë, duke filluar nga Maliqi deri në Libonik dhe Drithas.

Gjithashtu në proces janë kryer punime për rehabilitimin e infrastrukturës nëntokësore, sistemim dhe asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e trotuareve, gjelbërim dhe sistemin e ndriçimit.

Ky projekt u zhvillua në kuadër të programit “Investime prioritare me impakt të lartë në zhvillimin dhe promovimin e turizmit”./a.gjonaj/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.