FRANCË – Europianët fillojnë një procedurë kundër Teheranit për programin bërthamor

PARIS, 14 janar /ATSH-AFP/ – Tre vende europiane, nënshkruese të marrëveshjes bërthamore iraniane, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermani, aktivizuan mekanizmin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, parashikuar në tekst me qëllim për të bindur Teheranin t’i rikthehet respektimit të angazhimeve të tij, njoftuan krerët e diplomacive në një komunikatë të përbashkët.

“Duke bërë këtë, tre vendet tona nuk i bashkohen fushatës që parashikon ushtrimin e presionit maksimal kundër Iranit”, shtojnë ata duke lënë të kuptohet se nuk dëshirojnë t’i bashkohen politikës së sanksioneve të SHBA-së.

Aktivizimi i mekanizmit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (MRD), me të cilën Parisi ka kërcënuar që prej disa javësh, mund të sjellë rivendosjen e sanksioneve nga OKB-ja.

“Europianët nuk dëshirojnë të nxitojnë me kalimin në sanksione, por të ushtrojnë presion ndaj Iranit për të shpëtuar marrëveshjen e vitit 2015 (JCPOA) që ka të bëjë me programin iranian bërthamor”, nënvizoi Parisi.

Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell theksoi javën e kaluar se Irani duhet t’i përmbahet angazhimeve për të shmangur fundin e marrëveshjes për programin bërthamor, që ai nuk e përjashton./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.