Emërimet në Kushtetuese/ Komisioni i Venecias letër Ruçit: Do t’i diskutojmë në mars

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Komisioni i Venecias do të diskutojë në mars në lidhje me 5 pyetjet që Kuvendi i Shqipërisë i drejtoi lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Thomas Markert, sekretar i Komisionit të Venecias i ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi ku shkruan se Komisioni i Venecias do të diskutojë për një opinion mbi këtë çështje në sesionin e marsit.

Gjithashtu, një delegacion nga Komisioni i Venecias do të vizitojë Tiranën në fillim të shkurtit pas kërkesës së Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi më 30 dhjetor për një opinion mbi emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Në përgjigje të interesimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Komisioni i Venecias konfirmon se vizita në Tiranë do të jetë në fillim të muajit shkurt.

“Komisioni i Venecias synon të vizitojë Tiranën dhe vizita me shumë mundësi do të bëhet në fillim të shkurtit, por ende nuk janë caktuar datat”, ka deklaruar Komisioni i Venecias për ATSH.

Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për të shqyrtuar kërkesën për shkarkimin e Metës vendosi ta përfshijë këtë rast në objektin e tij të punës dhe formuloi pyetjet me të cilat iu drejtua për opinion Komisionit të Venecias.

Pyetjet që i janë drejtuar Komisionit të Venecias

A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptimin e ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?

Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30-ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të organit kompetent, KED, a e cenon parimin e gjykatës së krijuar me ligj? A ndikon kjo në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke venë në dyshim garancitë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh kjo me frymën e mekanizmave zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?

A është në përputhje me standardet më të mira zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar ky gjyqtar?

Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, nisur nga solemniteti i procesit të betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës në situatën kur gjyqtari konsiderohet i emëruar në detyrë për efekt të ligjit?

Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin përkatës?

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.