Siguria rrugore/ Kontrolle parandaluese, pezullohen 98 leje drejtimi

TIRANË, 13 janar /ATSH – I. Vata/- Policia Rrugore e kryeqytetit ka vijuar kontrollet parandaluese në të gjitha rrugët urbane dhe interurbane me risk të lartë për ngjarjet rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, rritjen e parametrave të sigurisë dhe disiplinimin e mënyrës së përdorimit të rrugës, në raport me normat e sjelljes të përcaktuara në Kodin Rrugor.

Policia Rrugore e Tiranës në funksion të kontrolleve të alternuara parandaluese janë verifikuar dhe janë arrestuar 37 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 17 në gjendje të dehur, 18 të mospajisur me leje drejtimi, si dhe 2 drejtues mjetesh për “Korrupsion aktiv ndaj personave që kryejnë funksione publike”.

Po ashtu Policia Rrugore ka pezulluar 98 leje drejtimi, nga të cilat 26 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 59 për shpejtësi mbi normat e lejuara, si dhe 13 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor si dhe janë proceduar administrativisht 138 drejtues motomjetesh, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.

Gjithashtu Policia Rrugore ka  proceduar administrativisht 54 drejtues mjetesh, për shkelje semafori, si dhe janë proceduar administrativisht 352 drejtues mjetesh, për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve.

“Janë proceduar administrativisht 146 drejtues mjetesh, për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve. Janë proceduar administrativisht 2934 mjete për pushim dhe qëndrim të gabuar”, sqaroi policia.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.