OSBE shpreh gatishmërinë për të vijuar punën me autoritetet shqiptare në përmirësimin e legjislacionit

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, mori sot nga Zyra e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta dokumente shpjeguese mbi arsyet e kthimit në Parlament të ligjeve për Median Audiovizive dhe Ligjin për Komunikimin Elektronik në Republikën e Shqipërisë.

Duke pasur parasysh shqyrtimin e ligjeve nga Parlamenti, përfaqësuesi i OSBE-së konfirmon se ai është i gatshëm të vazhdojë të punojë me autoritetet e Shqipërisë për të përmirësuar ligjet, veçanërisht në çështjen e nivelit të gjobave dhe respektimin e parimit të proporcionalitetit ashtu siç janë të parashikuara në ligjin ndërkombëtar.

Përfaqësuesi kujton se asgjë në legjislacionin e ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Ai shpreson që shqyrtimi i ri i projektligjeve në Parlament të lejojë sqarime të mëtejshme dhe të përmirësojë ligjet për të siguruar përputhjen e plotë të tyre me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet e mediave në të 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ai bën paralajmërime fillestare për shkeljet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave dhe promovon përputhshmërinë e plotë me angazhimet e lirisë së mediave të OSBE-së./p.s./j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.