Ligjet e Paketës Antishpifje, të certifikuara tërësisht nga OSBE

TIRANË, 13 janar /ATSH-Gjergji Mima/ “Përmirësimet ligjore në të dyja ligjet komponent të Paketës Antishpifje janë certifikuar tërësisht nga partneri ynë i rëndësishëm OSBE”, tha sot kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një prononcim për gazetarët, Balla deklaroi se dekretet e Presidentit Meta për dy ligjet që përbëjnë Paketën Antishpifje do të rrëzohen në Kuvend.

“E thamë qysh në seancën plenare kur ky hap i rëndësishëm që Shqipëria hodhi për të luftuar dezinformimin si një kërcënim për cilësinë e demokracisë jo vetëm në Shqipëri po kudo në botën demokratike se Presidenti Ilir Meta, pas urdhrit të Lulzim Bashës do të kthente mbrapsht përmes një dekreti dy ligjet komponent të kësaj pakete të parë me betejën me shpifjen”, tha Balla në një prononcim për mediet.

“Sepse e kujtoj që siç e kemi thënë, edhe në të ardhmen legjislacioni shqiptar duhet përmirësuar sa më shumë për të garantuar fitoren e së vërtetës ndaj shpifjes dhe po ashtu dua të ritheksoj se përmirësimet ligjore në të dyja ligjet komponent të Paketës Antishpifje janë certifikuar tërësisht nga partneri ynë i rëndësishëm OSBE dhe në kuadër të faktit historik tashmë që Shqipëria ka nderin dhe ka përgjegjësinë e madhe të drejtojë këtë organizatë që mban në vetvete dhe më shumë se 1 miliard qytetarë dhe më shumë se 5 vende”, u shpreh ai.

Kështu që, theksoi Balla, “sipas procedurës  parlamentare ditën e hënë më datë 20 janar ardhja e dekreteve i njoftohet seancës plenare dhe më pas menjëherë sipas procedurës Komisioni përgjegjës do t’i shqyrtojë dhe më pas në seancën më të parë pasuese dekretet e z. Ilir Meta, me detyrë President i Republikës, do të rrëzohen”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.