Kthimi i dy ligjeve të medieve online nga Meta/ Vokshi: Hap i duhur në mbrojtje të fjalës së lirë

TIRANË, 13 janar /ATSH/ – “Kthimi i dy ligjeve të censurës së medieve online nga Presidenti i Republikës, është një hap i duhur në mbrojtje të fjalës së lirë”, deklaroi sot ish-deputetja e PD, Albana Vokshi.

Në një deklaratë për mediet, Vokshi tha se, “ky është një vendim i drejtë, që, një kryeministër normal do ta shikonte si mundësi për t’i tërhequr ligjet antidemokratike. Por të gjithë e dimë mirë, se Edi Rama nuk ka për ta bërë këtë. Ai e ka sot jetike mbylljen e gojës së medieve, sidomos ato kritike online”.

“Në kohën kur i duhet të përmbushë detyrimet e Bundestagut për hapjen e negociatave, duke nisur me reformën zgjedhore që i hap rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme, Ramës i duhet vetëm propaganda e tij dhe heshtja e çdokujt që thotë të vërtetën për aferat korruptive apo lidhjet e qeverisë më krimin”, tha ajo.

“PD i konsideron këto dy ligje si antikushtetues, që shkelin konventat ndërkombëtare, që censurojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e qytetarëve për informim. Duke inkurajuar gazetarët të mos tremben nga censura qeveritare, Partia Demokratike angazhohet për të anuluar këto dy ligje në momentin e parë që ajo do të ketë besimin për të qeverisur vendin”, përfundoi Vokshi.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.