FOTO/Shërbime cilësore për udhëtarët tek terminali i ri i autobusëve ndërqytetas tek kthesa e Kamzës

TIRANË, 13 janar/ATSH/- Terminali i ri i autobusëve të Jugut dhe të Veriut i zhvendosur prej ditës së djeshme tek kthesa e Kamzës ofron shërbime cilësore dhe shumë më tepër hapësirë dhe standarde të larta për të gjithë udhëtarët.

Terminali i ri është në shërbim të 43 linjave të zonës së jugut dhe 20 linjave të zonës së veriut, duke sjellë kushte më të mira dhe lehtësi në qarkullim.

Zhvendosja e terminalit të jugut që më parë ishte tek zona e njohur si ish- Dogana është bërë pas rinisjes së punimeve tek Unaza e Madhe.

Ky terminal ka hapësirë më të madhe sesa ish-Dogana, pasi sistemon 63 vend-qëndrime dhe stacione për autobusët e veriut dhe jugut, ndërkohë që juglindja do të vazhdojë të shërbehet nga Qyteti “Studenti” dhe parkingu i madh atje.

Për lëvizjen e qytetarëve janë në dispozicion edhe 4 linja autobusi urban që kanë një stacion ngjitur me terminalin e autobusëve; pra, linja e ‘City Park’, e Kamzës, linja e Institutit dhe ‘Tirana e Re’, të katërta do të ndalojnë aty, për t’i çuar pasagjerët në drejtimin që duan në Tiranë, duke shmangur edhe kaosin që ndodhte tek ‘Shqiponja”.

Në këtë terminal ofrohet shërbim cilësor, shumë më tepër hapësirë dhe standarde të larta për të gjithë udhëtarët. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.