30 milionë dollarë investime për spitalin “Frederik Shiroka”, aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit

TIRANË, 13 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “ne kemi investuar aktualisht në zhvillim 30 milionë dollarë për spitalin “Frederik Shiroka”, që është jashtëzakonisht shumë në raport me çfarë është bërë më parë, por që është pak në raport me çfarë nevojash ka dhe pastaj për gjithë sistemin”.

Në fjalën e tij në ceremoninë e përurimit të këtij spitali, Rama tha se “ndërkohë që njerëzit me plotë të drejtë e kërkojnë gjithçka tani dhe nuk janë ata që duhet ti marrin parasysh kostot e mëdha që ka çdo rritje e cilësisë apo volumit të shërbimeve në shëndetësi.  Por e rëndësishme është që ne nuk do të shkurtojmë asgjë për shkak të emergjencës së tërmetit që na ka sfiduar rëndë si qeveri dhe si shtet pasi duhet të adresojmë një nevojë kolosale për rindërtim”.

“Ka qenë një histori e gjatë dhe trishtuar mungesa e aparaturave dhe mos mirëmbajtja e atyre që vinin ose deri mospërdorimi fare i tyre, mbajtja e tyre në kuti se nuk ishin bërë proceset e trajnimeve ose ngecja e tyre për një shkak apo tjetër për vite të tëra.
Për këtë arsye i kam kërkuar ministres Manastirliu që të hapë një proces për një mirëmbajtje të integruar, është bërë shumë pak, për të mos thënë është bërë shumë në drejtimin e gabuar për të krijuar sisteme në dispozicion të mjekëve”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “sa më shumë e njoh nga brenda sistemin shëndetësor, aq më shumë ndjehem keq, kur mjekët fyhen, baltosen, mbulohen me lloj-lloj sharjesh dhe etiketimesh nga një perceptim i ushqyer në vijimësi, si pasojë e kushteve të vështira. Po të shikosh sa shumë kanë mundur të bëjnë mjekët dhe sa keq janë shërbyer ata. Patjetër që ka mjekë që e shkelin, patjetër nuk ka pyll pa derra, por nëse shohim shifrat një operacion i pasuksesshëm përbën lajm, po 60 mijë operacione të suksesshme në vit dhe plus me mikrokirurgjitë shkojnë  90 mijë. Pra 90 mijë njerëz që drejtohen ek bluzat e bardha që marrin shërbim dhe fshihen nga një dy raste në vit që mund t perbejnë arsye per tu skandalizuar edhe pse është pjesë e punës së mjekut. Sfida jonë është që të vëmë në shërbim një sistem ku dija e mjekëve bën më të mirën dhe ku motivimi i mjekëve është maksimal”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.